Afera CEZ-DIA/ Blushi: Ilir Meta i pafajshëm, përgjegjës Dritan Prifti
Sipas postimit në Facebook nga Tedi Blushi, dokumentet e SPAK-ut tregojnë se në aferën CEZ-DIA i përfshirë është Dritan Prifti dhe jo Ilir Meta, ndërsa kallëzimi i rremë ndaj Metës është përdorur si mjet presioni politik gjatë presidencës së tij.
"Sot, avokatët Z.Kujtim Cakrani dhe Z. Gylsen Zhllima, faktuan në bazë të fashikujve të vet SPAK-ut, se politikani që përfshihet në aferën CEZ-DIA, është Dritan Prifti dhe jo Ilir Meta.
Në 1 shtator 2010 kur u bë marrëveshja CEZ-DIA, ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, ishte Dritan Prifti dhe jo Ilir Meta. Në tetor 2015, kur Dritan Prifti u “kujtua” se kjo marrëveshje ishte bërë pa dijeninë e tij, ai akuzonte Z. Meta, duke ju referuar Elvis Mataj.
Por Elvis Mataj, drejtori i DIA-s, jo vetëm që në prokurori ka mohuar të jetë takuar apo të ketë patur komunikim me Z. Prifti që nga janari 2005, por në datën 16 prill 2014, e kishte denoncuar Dritan Priftin si përfitues të kësaj afere. Transparenca është e vërteta.
Dhe e vërteta është se kallëzimi i rremë ndaj Ilir Metës u bë si mjet presioni kur ai ishte President i Republikës që të noterizonte ndarjen e Kosovës dhe tradhtitë e tjera të interesave kombëtare nga Edi Rama.
E vetmja çështje që duhet të ishte hetuar prej kohësh është padia e KLSH (që vazhdon të “flejë” në Prokurori) për 479 milion euro që Edi Rama i fali CEZ-it", shkruan Blushi.
