Tushi: Punëdhënësit të mos e shohin gruan shtatzënë si problem

Sociologu Gëzim Tushi ishte i ftuar në emisionin Epiqendër të gazetares Sonila Musai, ku trajtoi çështjen e uljes së lindshmërisë dhe sfidat që përballin nënat në tregun e punës.

Gjatë fjalës së tij, Tushi theksoi se mbështetja për gratë që sjellin fëmijë në jetë nuk duhet të kufizohet vetëm në përfitime financiare apo leje lindjeje. Sipas tij, një element thelbësor mbetet siguria e vendit të punës për nënat.

Ai kritikoi qëndrimet negative që, sipas tij, ekzistojnë ende në disa ambiente pune, ku shtatzënia shihet si problem nga punëdhënësit.

“Një nënë që sjell fëmijë në jetë duhet të ketë të sigurt vendin e punës, ndërsa shpesh pronarët reagojnë me shqetësim kur mësojnë për shtatzëninë e tyre,” u shpreh sociologu.

Tushi nënvizoi se këto qasje ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet e grave dhe çifteve për të pasur fëmijë, duke u kthyer në një nga faktorët që kontribuojnë në rënien e lindshmërisë.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR”