'Shuhet' kantautori revolucionar i muzikës italiane në moshën 91-vjeçare, Gino Paoli

Gino Paoli, një nga emrat më të mëdhenj të muzikës italiane dhe figurë qendrore e ashtuquajturës “shkollë gjenoveze”, është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare.

Lajmi u bë i ditur nga familja e tij, e cila tregoi se ai u largua në paqe, i rrethuar nga njerëzit e afërt.

I lindur më 23 shtator 1934 në Monfalcone dhe i rritur artistikisht në Genova, Paoli ndryshoi mënyrën si bëhej muzika në Itali.

Në një kohë kur këngët ishin më shumë argëtim i lehtë, ai solli tekste të drejtpërdrejta për jetën, dashurinë dhe vetminë.

Kënga e tij më e famshme, Il cielo in una stanza, fillimisht nuk u kuptua nga shtëpitë diskografike, por më pas u bë një nga këngët më të rëndësishme në historinë e muzikës italiane, sidomos pasi u interpretua nga Mina.

Ndër krijimet e tij më të njohura janë edhe Senza fine, La gatta dhe Sapore di sale, kjo e fundit e realizuar me ndihmën e Ennio Morricone.

Ai ishte pjesë e një brezi artistësh që lanë gjurmë, si Fabrizio De André, Luigi Tenco dhe Bruno Lauzi.

Jeta e tij nuk ishte e lehtë.

Në vitin 1963 tentoi t’i japë fund jetës, por mbijetoi dhe e vazhdoi rrugën në muzikë.

Në vitet që pasuan pati ulje-ngritje, por u rikthye fuqishëm në vitet ’80 dhe mbeti aktiv për shumë kohë. Në vitin 1991 fitoi Festivalbar me këngën “Quattro amici”.

Përveç muzikës, ai u përfshi edhe në jetën publike si president i SIAE dhe si deputet i Partia Komuniste Italiane.

Gino Paoli mbetet një figurë e madhe dhe e veçantë e muzikës italiane. Këngët e tij vazhdojnë të dëgjohen edhe sot dhe kanë lënë një ndikim të fortë në breza të tërë artistësh.