Arthur Schopenhauer, te "Arti i të qenit i lumtur" na tregon se gëzimi është lulja më e brishtë e qenies sonë, fryti më i ëmbël i saj
“Asgjë nuk ka shpër=blim më të sigurt se gëzimi, sepse në të shpërblimi dhe vepra janë pothuajse e njëjta gjë. Asgjë nuk mund të zëvendësojë asnjë të mirë tjetër aq të sigurt dhe me bollëk sa gëzimi." citohet në shtjellimet filozofike të Schopenhauer.
Sigurisht që është një e mirë që nuk ka nevojë të justifikohet. Nuk kërkon kushte, as prova, as arsyetime të ndërlikuara për ta stolisur gjëndjen tonë me ngjyrat më të hareshme dhe atomat më dehëse se gëzimi.
Gëzimi nuk është thjesht një ndjenjë që na viziton, por një përkim i rrallë midis asaj që bëjmë dhe asaj që marrim, shpërblimi dhe vetë veprimi bëhen një me qënien tonë, që në këtë çast mbushet përplot me dritë, gati për të shpërthyer.
Prandaj ai mbetet më i sigurt se çdo e mirë tjetër, më i plotë në vetvete se çdo premtim që jeta na jep për të ardhmen, më qëllimmirë se çdo terapi apo trajtim.
Ne dimë të admirojmë pasurinë, rininë, nderimin. Por përballë tyre gjithmonë mbetet një pyetje dyshuese, a janë këto shenja të lumturisë? Ndërsa për gëzimin nuk ka nevojë për dëshmi. Nëse ai është i pranishëm, gjithçka tjetër bëhet e parëndësishme. Ai është prova e vetvetes.
E megjithatë, ne shpesh sillemi si roje të ngurta përpara portës së shpirtit tonë. Kur gëzimi troket, nuk e hapim menjëherë. Ndajmë kohë për dyshim, për arsyetim, për një lloj gjykimi që kërkon të vendosë nëse e meritojmë atë çast drite. Dhe kështu, në emër të seriozitetit apo panevojshmërisë për delirim, e lëmë shpesh të largohet. Harrojmë se gëzimi nuk vjen kurrë në kohën e gabuar.
Në një botë ku gjithçka projektohet drejt së ardhmes, gëzimi është besnik i së tashmes, gjenerues i potencialeve motivuese për të vazhduar. Ai nuk premton, ai ndodh. Dhe pikërisht sepse është i lidhur me këtë çast të brishtë midis dy pafundësive, bëhet e mira më e çmuar që kemi në dorë.
Por kjo e mirë nuk ushqehet nga rastësia. Nuk janë rrethanat e jashtme ato që e lindin, as fati që e mban gjallë. Përkundrazi, siç na kujton, burimi më i qëndrueshëm i tij është shëndeti, ajo gjendje e heshtur e ekuilibrit që nuk bie në sy, por pa të cilën çdo gëzim zbehet dhe shpërbëhet.
Prandaj, të kujdesesh për veten, të shmangësh teprinë e pasioneve dhe lodhjen e mendjes, nuk është thjesht maturi, është një mënyrë për të mbrojtur vetë mundësinë e gëzimit.
Gëzimi është fitimi më i sigurt, është e mira më e çmuar, më e lartë për qeniet, realiteti i të cilave ka formën e një të pranishme të pandarë midis dy kohërave të pafundme. Prandaj, nëse gëzimi është e mira që zëvendëson të gjitha të tjerat, por për të cilën nuk mund të zërë vend asnjë e mirë tjetër, ne duhet të parapëlqejmë blerjen e kësaj të mire se çdo aspiratë tjetër. Tani është e vërtetë se asgjë nuk kontribuon më pak në gëzim sesa rrethanat e jashtme, sesa lumturia dhe asgjë më shumë se shëndeti. Kjo është arsyeja pse ne duhet ta preferojmë këtë ndaj çdo gjëje tjetër, ndaj të gjitha emocioneve të forta ose të pakëndshme të shpirtit; edhe të gjitha përpjekjet e mëdha dhe të vazhdueshme intelektuale. Dhe... në mënyrë të veçantë, të përpiqemi të ruajmë një shkallë të lartë të shëndetit të përsosur..."
Sepse, gëzimi është lulja më e brishtë e qenies sonë, dhe njëkohësisht fryti më i sigurt i saj.
Përgatiti: Albert Vataj

