“Zorba – the Greek”, kur muzika dhe poezia takohen në TKOB
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit po përgatitet të sjellë para publikut koncertin “Zorba – the Greek” me muzikën e kompozitorit të mirënjohur Mikis Theodorakis.
Ky koncert premierë është konceptuar si një udhëtim përmes cikleve më të njohura të krijimtarisë së Theodorakis, duke sjellë pjesë nga ciklet “Axion Esti”, “Epitafios”, “Epifania”, “Ta Lyrika” dhe vepra të tjera, të mbështetura mbi poezinë e ndjerë të poetëve të mëdhenj grekë si Odysseas Elytis, Yannis Ritsos, Tasos Livaditis e të tjerë.
Protagonistë do të jenë artistët e TKOBAP-së, baritoni solist, Artur Vera dhe pianistja Etrita Ibrahimi, të cilët do të shoqërohen nga Panagiotis Lympanovnos i cili luan në instrumentin simbol të muzikës greke, buzukun. Gjithashtu, i pranishëm do të jetë aktori Xhuliano Brisku i cili do të interpretojë poezi.
TKOB bëri të ditur se koncerti do të shfaqet mbrëmjen e 15 prillit.
