Zhupa viziton Qendrën Kombëtare të Kinematografisë: Industria e filmit kërkon ligj të ri

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, vizitoi sot Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, ku diskutoi me drejtorin e Qendrës Kombëtare Kinematografike, Jonid Jorgji dhe stafin, sfidat kryesore që përballet industria e filmit në vend.

Zhupa nënvizoi se një nga shqetësimet më të mëdha mbetet buxheti i ulët për financimin e projekteve, gjë që pengon zhvillimin e industrisë konkurruese dhe të qëndrueshme.

Ajo vuri në dukje gjithashtu mungesën e infrastrukturës moderne, të tregut të organizuar për shpërndarjen e filmave, mungesën e incentivave ligjore për sponsorizime, si dhe largimin e profesionistëve drejt tregjeve të huaja për shkak të mundësive të kufizuara.

Deputetja theksoi nevojën urgjente për ligj të ri të kinematografisë që t’i përgjigjet realiteteve të sotme dhe të krijojë më shumë hapësira mbështetëse, përfshirë konsultimin e gjerë paraprak.

Ajo shprehu shqetësim për mungesën prej 13 vitesh të festivalit kombëtar të filmit shqiptar, që do të shërbente si motivim dhe promovim i profesionistëve të fushës.

“Industria e filmit mund të kthehet në aset të rëndësishëm për vendin, duke luajtur rol kyç në promovimin ndërkombëtar, rritjen e turizmit dhe zhvillimin ekonomik. Investimi në këtë sektor nuk është luks, por domosdoshmëri për identitetin dhe të ardhmen tonë kulturore dhe ekonomike” tha Zhupa.