Oriana Fallaci, na tregon te “Kuptimi i jetës” se çfarë është humbja e nënës
Oriana Fallaci për vdekjen e nënës në librin "Kuptimi i jetës", na lë një nga dëshmitë më të zhveshura dhe më të pamëshirshme të përvojës njerëzore, atë çast kur lidhja më e parë, më themelore, më ontologjike, ajo me nënën, shkëputet jo vetëm nga jeta, por nga vetë struktura e qenies sonë.
Humbja e nënës është një shkulm që nuk e përballon asnjë stoicizëm, një tronditje që nuk e amortizon asnjë filozofi, një boshllëk që nuk e mbush dot as koha, as harresa.
Është një rrudhje e brendshme e qenies, një tkurrje e vetëdijes përballë një akti që nuk është thjesht ndarje, por shpërbërje e një uniteti të hershëm, të fshehur në indet e ekzistencës sonë. Sepse nëna nuk është vetëm një tjetër që e duam, ajo është origjina, trupi ynë i parë, kujtesa jonë para kujtesës.
Në këtë kuptim, vdekja e saj nuk është vetëm humbje: është një lëkundje e themeleve mbi të cilat kemi ndërtuar idenë e vetvetes. Dhe siç e formulon me një brutalitet të ndershëm Fallaci, ajo është “vdekja e vdekjes sate”, një paralajmërim i mishëruar, një provë e parathënë e fundit që na pret.
Në rrëfimin e saj, fjala nuk është më mjet estetik, por akt mbijetese. Ajo flet për të mos rënë në heshtjen që e barazon njeriun me asgjësinë. Ajo rrëfen për të mbajtur të gjallë një prani që po shkon, për ta zgjatur në gjuhë atë që trupi nuk mund ta mbajë më. Dhe në atë rrëfim të ethshëm, të papërmbajtur, ajo i rrëfen nënës gjithçka: plagët, mëkatet, pendesat, dashurinë e pathënë, si një rit i fundit, si një lloj rrëfimi i shenjtë para altarit të ikjes.
Sepse në atë çast, marrëdhënia nënë-bijë zhvishet nga çdo konvencion dhe bëhet çfarë ka qenë gjithmonë në thelb: një qark jetësor që kërkon të mbyllet me të vërtetën e plotë. Dhe ajo e thotë këtë të vërtetë jo për ta shpëtuar nënën, sepse kjo është e pamundur, por për të shpëtuar veten nga barra e të pathënës.
Kur zemra e nënës ndalon, nuk është vetëm një ritëm biologjik që shuhet. Është një muzikë e brendshme që ka rrahur në sinkron me ekzistencën tonë që nga fillimi. Dhe ndalimi i saj është një çrregullim i përkohshëm i të gjithë orkestrës së qenies sonë. Për këtë arsye, dhimbja nuk është vetëm emocionale, ajo është trupore, metafizike, pothuajse kozmike.
Megjithatë, në këtë errësirë, lind edhe një formë e re e vazhdimësisë. Sepse ajo që shuhet si prani fizike, rikthehet si puls i brendshëm, si kujtesë që nuk vdes, si një mënyrë tjetër e të qenit. Nëna nuk është më jashtë nesh, ajo bëhet një jehonë e brendshme, një ritëm i fshehtë që vazhdon të trokasë në kraharorin tonë.
Dhe kështu, zemra që ndalon, nuk është fundi i trokitjes, por transformimi i saj. Ajo kalon nga mishi në kujtesë, nga trupi në shpirt, nga përkohshmëria në një përjetësi intime, të padukshme, por të pashlyeshme.
Në këtë mënyrë, siç na e dëshmon Fallaci, ne nuk mbetemi thjesht të gjymtuar nga humbja. Ne bëhemi bartës të saj. Dhe në këtë barrë të rëndë, por të shenjtë, vazhdon të rrahë një pjesë e asaj zemre që ndaloi, për të mos pushuar kurrë së jetuari brenda nesh.
Përgatiti: Albert Vataj

