Nis vlerësimi i riskut të korrupsionit, nga menaxhimi i pronave tek shëndetësia

Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, informon se ka nisur procesi i vlerësimit të riskut të korrupsionit në sektorët më vulnerabël të administratës publike, me fokus në menaxhimin e pronave dhe shëndetësinë.

Në një njoftim për mediet, Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin bën me dije se nisma zbatohet në kuadër të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024–2030 dhe synon forcimin e integritetit publik në shërbimet e ofruara për qytetarët.

Sipas njoftimit, vlerësimi i riskut përfshin analizimin e procedurave administrative, identifikimin e pikave të dobëta dhe hapësirave për abuzim, vlerësimin e cilësisë së shërbimeve publike, evidentimin e risqeve në ndërveprimin me qytetarët dhe hartimin e masave sistemike për parandalimin e korrupsionit dhe rritjen e transparencës

Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin nënvizon se procese të vlerësimit të riskut do të iniciohen brenda këtij viti edhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm publikë, përfshirë sektorin e tatimeve, doganave, prokurimin publik dhe arsimin.