Gonxhja: Në programin e edukimit përmes kulturës dhe artit u përfshinë rreth 18 mijë nxënës
Ministria e Arsimit dhe British Council organizuan sot konferencën “Edukimi Passhkollor në Shqipëri – Politika, Standarde dhe Modele për Zhvillim Gjithëpërfshirës”.
Gjatë fjalës së tij në konferencë, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se gjatë vitit 2025, nga programi i edukimit përmes kulturës dhe artit, janë përfshirë rreth 18 mijë nxënës dhe janë organizuar rreth 500 aktivitete të ndryshme.
“Vetëm për vitin 2025, nga programi i edukimit përmes kulturës dhe artit ka pasur rreth 500 aktivitete dhe rreth 18 mijë nxënës të përfshirë në vizita muze, por edhe shumë ndërveprim”, u shpreh ai.
Ministri nënvizoi se bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit do të sjellë një koordinim më të mirë të iniciativave ekzistuese.
“Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe me programin që po diskutojmë, ka për të qenë një bashkëpunim dhe një sinkronizim forcash mes nesh”, tha Gonxhja.
Ai e cilësoi këtë qasje si një investim ekonomik afatgjatë, duke shtuar se sfida kryesore mbetet koordinimi efektiv i programeve ekzistuese.
“Kemi shumë programe, por problemi është që të mund t’i sinkronizojmë në mënyrë sa më efektive dhe të mos fragmentarizohemi shumë”, theksoi ministri.
Programi “Edukimi Pas Shkollor në Shqipëri” synon të zgjasë qëndrimin e nxënësve në shkollë, duke i kthyer ambientet shkollore në hapësira të kreativitetit, argëtimit dhe ndërveprimit social, si një hap i rëndësishëm drejt një sistemi arsimor më gjithëpërfshirës.

