Lama: Rritja e çmimit të naftës do të rëndojë paketat turistike dhe shërbimet hoteliere

Sektori i turizmit në Shqipëri po përballet me sfida të reja që mund të rrisin ndjeshëm kostot e pushimeve për vizitorët vendas dhe të huaj. Konflikti në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të karburanteve po krijojnë një efekt zinxhir në gjithë industrinë turistike.

Sipas ekspertit të turizmit, Xhimi Lama, situata në Izrael dhe Lindjen e Mesme ndikon jo vetëm fluturimet direkte, por edhe rrugët e tranzitit për turistët nga tregje të largëta si Australia, Zelanda e Re dhe Brazili. Çdo ndërprerje në këto fluturime ndikon drejtpërdrejt në numrin e vizitorëve që mbërrijnë në Shqipëri.

"Paralelisht, rritja e çmimit të naftës me 25-30 lekë për litër po ngarkon transportin, që është elementi kryesor në kostot e paketave turistike. Kjo do të ndikojë më pas edhe në çmimin e hotelerisë dhe shërbimeve të tjera turistike."

Sipas operatorëve turistikë, kontratat e mbyllura me partnerët nuk u lejojnë të rrisin menjëherë çmimet, duke i vendosur ata në një situatë të vështirë.

Megjithatë, sinjalet e para tregojnë se pushimet e ardhshme në Shqipëri mund të jenë më të shtrenjta.

Ndiqni intervistën e plotë: