Mbrëmje koncertore me veprat e kompozitorëve Rachmaninoff dhe Prokofiev, sonte në TKOB

Publiku i Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit do të ketë mundësinë të ndjekë sonte një koncert që premton emocione të forta.

TKOB  do të mirëpresë një mbrëmje koncertore të veçantë kushtuar dy prej kompozitorëve më të mëdhenj të repertorit simfonik, Rachmaninoff dhe Prokofiev.

Pianisti Kostandin Tashko do të interpretojë shoqëruar nga orkestra e TKOBAP-së nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur Sergio Alapont.

Mbrëmja e sotme sjell koncertin për piano nr. 2 në Sol minor, op. 16 të Sergei Prokofiev dhe Simfoninë nr. 2 në Mi minor, të Sergei Rachmaninoff, dy vepra që spikasin për fuqinë dramatike dhe pasurinë e ngjyrave orkestrale.

Kostandin Tashko është një nga talentet më premtues të gjeneratës së tij në nivel ndërkombëtar.

Laureat i konkurseve prestigjioze si Ljubljana Festival International Piano Competition dhe Ferruccio Busoni International Piano Competition, ai ka performuar në disa nga sallat më të njohura koncertore në Europë.