Tymi i zi mbulon superstradën Lezhë–Milot, deputeti Gjin Gjoni denoncon masakrën mjedisore nga djegia e gomave
Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka denoncuar përmes një videoje masakrën mjedisore në superstradën Lezhë–Milot, pranë urës mbi lumin Lumi Mat.
Sipas tij, kjo është pamja e pasdites së kësaj të shtune, ku shtellunga të dendura tymi të zi kanë mbuluar rrugën, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe duke krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve.
Shkak i situatës është djegia e gomave të përdorura, të cilat hidhen pranë brigjeve të lumit dhe më pas u vihet flaka, duke përhapur ndotje të rëndë në të gjithë zonën.
Reagimi i plotë i Gjin Gjonit:
Kjo është pamja pasditen e kësaj të shtune në superstradën Lezhë–Milot, pranë urës mbi lumin Mat, ku shtellunga të dendura tymi të zi kane mbuluar rrugën dhe vështirësuar qarkullimin e automjeteve.Shkak është djegia e gomave të përdorura që hidhen pranë brigjeve të lumit dhe më pas u vihet flaka, duke mbuluar gjithë zonën me ndotje të rëndë dhe duke rrezikuar seriozisht sigurinë e drejtuesve të mjeteve.
Në mes të ditës, pa asnjë kontroll, në brigjet e lumit hidhen inerte dhe mbetje nga më të ndryshmet, duke e kthyer këtë zonë në një vendgrumbullim të hapur mbetjesh.
Situata përsëritet prej kohësh, ndërsa institucionet përgjegjëse vijojnë të heshtin përballë këtij skandali mjedisor dhe ndotjes që po i bëhet zonës.
Kjo është panorama më e shëmtuar që i ofrohet Lezhës pikërisht në prag të sezonit turistik, kur qyteti dhe bregdeti ynë duhet të mirëpresin vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe jashtë saj.
Lezha nuk mund të trajtohet kështu. Ku janë institucionet mjedisore? Ku është shteti për të ndalur këtë ndotje dhe këtë abuzim me lumin dhe mjedisin?
