Ministri dhe Drejtori i Përgjithshëm Qose festojnë Ditën e Verës në Kavajë! Gogu tregon shembullin e të riut që fitoi në Strasburg

Pikërisht ditën e verës ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka takuar të miturit që mbahen në Institutin e Kavajës për të vlerësuar vendimin e Strasburgut që i dha të drejtë Shiqiri Manjanit, një shembull frymëzues i të një riu, i cili pas problemeve me ligjin kur ishte fëmijë fitoi shkollën për prokuror duke u renditur ndër më të mirët.

Por i riu u skualifikua nga Këshilli i lartë i Prokurorisë, e megjithatë ai fitoi në gjykatën e Strasburgut që i kujton drejtësisë në Shqipëri se e kaluara nuk mund të të ndjekë kur ja ke dalë mbanë të rehabilitohesh.

“Unë jam i bindur që ju e keni marrë vesh që, keto ditë madje, një i ri si ju i cili dikur ka bërë një gabim të caktuar në jetën e tij, i mohuan të drejtën e profesionit. Por ai nuk pushoi së kërkuari, dhe shkoi deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, dhe sot e ka fituar këtë gjë”, u shpreh ministri Gogu.

Ministri dhe Drejtori i Përgjithshëm Qose festojnë Ditën e

Fëmijët, së bashku me drejtoreshën e institutit Marinela Aliaj dhe mësuesit, kishin përgatitur një festë të veçantë me ushqime të gatuara nga vetë ata, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe festive.

Gjatë vizitës, ministri dhe drejtori i përgjithshëm vunë theksin tek rëndësia e rehabilitimit dhe arsimimit të të miturve, duke theksuar se qëllimi kryesor është që ata të kenë një mundësi reale për një fillim të ri dhe një të ardhme më të mirë jashtë mureve të institucionit.

Ministri dhe Drejtori i Përgjithshëm Qose festojnë Ditën e

Për bibliotekën e institutit, ministri dhuroi romanin Të Mjerët të Victor Hugo, që rrëfen historinë e Jean Valjean, një njeri që gaboi dhe u damkos nga shoqëria, por që falë besimit dhe mundësisë për një fillim të ri arriti të ndryshojë rrjedhën e jetës së tij. Mesazhi i kësaj historie është se një shans i dytë mund të ndryshojë gjithçka.

Ministri dhe Drejtori i Përgjithshëm Qose festojnë Ditën e

Në fund të aktivitetit, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, mbolli një ulli në ambientet e institucionit si simbol i paqes, shpresës dhe një fillimi të ri për të miturit.

Beteja e Shiqiri Manjanit në gjykatat shqiptare që autoritetet nuk e lejuan të realizojë ëndrrën e tij për shkak të fëmijërisë, u bë publik për herë të parë në vitin 2023 nga Top Channel në Exclusivin “Fëmijët Tanë” dhe më pas në Top Albania Radio në Podcastin “Fol me Anila Hoxha”.