FAKTET/ Si Sokol Sadushi “dhunoi” Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë për interesat e grupit të strukturuar
Mund të duket e pabesueshme se si kryetari i një gjykate mund të “dhunojë” kolegët e tij me veprimet që kryen duke shfrytëzuar kompetenca, të cilat s’i ka përdorur kurrë.
Në datën 10 mars pritej që Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë të jepte një vendim në lidhje me një ankimim të bërë nga shtetasi Bektash Zeneli, i cili kërkonte ndryshimin e vendimit të unifikuar të vitit 2011, dhënë nga Kolegji i Bashkuar.
Në një njoftim të ardhur nga Gjykata e Lartë në mbrëmjen e datës 9 mars u njoftua se Sokol Sadushi, kryetari i Gjykatës së Lartë, kishte dhënë një vendim të ndërmjetëm në lidhje me një çështje që shqyrtohej të nesërmen (10 mars) nga Kolegji Penal. Pra, kishte ndërhyrë në momentet e fundit te një vendimmarrje që duhet të jepte Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, vetë kryetari i Gjykatës.
Ndërkohë që Gjykata e Lartë ka në shqyrtim mbi 20,000 dosje, kryetari merr disa letra nga njerëzit e stafit, del me një vendim të ndërmjetëm duke bllokuar Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë për të dhënë vendimin të nesërmen (10 mars) në mëngjes në orën 9:30, nuk u la as 24 orë kohë, por u ndërpreu procesin.
Është unike në llojin e vet se si një kryetar gjykate mund të “dhunojë” kolegjin penal të institucionit që ai drejton.
Tani, Sokol Sadushi kërkon që të ndryshojë vendimin e Kolegjit të Bashkuar duke përdorur tezat se numri i të paraburgosurve është i lartë, kur faktet zyrtare flasin të kundërtën.
Në fakt, në burgjet shqiptare, sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2025 është numri më i ulët i të paraburgosurve në dekadën e fundit, rreth 2,744 të paraburgosur.
Nga statistikat që keqpërdoren jepet një përqindje më e lartë, duke u abuzuar, duke thënë se janë rreth 55%. Në fakt, kjo është një gënjeshtër, sepse krahasimi i përqindjes bëhet me numrin total të të dënuarve dhe deklarohet se numri total i të paraburgosurve është 55% dhe numri i të burgosurve në vitin 2025 është shifrat 1730.
Por si qëndron e vërteta?
Ka një lojë me shifrat që fillon tek institucionet e lidhura me “gatimin e një çorbe të prishur” që ka qëllime krejtësisht të tjera.
Te shifra 55% që jepet për të paraburgosurit, kur numri është 2744, më i ulëti në 10 vite, nuk mblidhet numri prej 800 të burgosurish që kanë fituar nga amnistia, të burgosur të tjerë në shifrën rreth 500 persona që janë në mjekim të detyruar. Po të mbledhim shifrat, përqindja del shumë më e ulët, është afërsisht në nivelet e vendeve të rajonit apo BE-së. Këto të fundit quajnë të dënuar edhe persona që kanë marrë një vendim dënimi në Shkallën e Parë, edhe pse për ta pritet Apeli. Në Shqipëri kjo praktikë nuk njihet dhe prandaj edhe përqindja e të paraburgosurve del më e lartë, por numri faktik është më i ulëti në 10 vitet e fundit.
Në vitin 2025 nuk kemi 55%, por shumë herë më pak të paraburgosur (nga totali i personave që mbahen në burg) sesa shifra që jepet në përqindje zyrtarisht nga propaganda, nga politika dhe nga grupet e interesit që lobojnë e veprojnë pranë Sokol Sadushit.
Kemi të bëjmë me një grup të strukturuar, i cili fillon që nga mashtrimi i shifrave me përqindjen e lartë, kur në fakt në numrat e vërtetë, nga të dhënat publike nga Drejtoria e Burgjeve, numri faktik është më i ulëti në dhjetë vjet.
Një grup i strukturuar që fillon me një iniciativë të Sokol Sadushit që “dhunon” Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, i cili vazhdon me propagandë, me avokatët e krimit, me të pandehurit e SPAK-ut dhe me politikanë që bërtasin për paraburgimin.
Asnjëri nga këta nuk ka mbajtur qëndrim apo të flasë kur në vitet 2014, 2015 dhe 2016 u mbushën burgjet me shqiptarë të shkretë për hallet e tyre, se merrnin energji për t’u ngrohur apo ujë për t’u larë, dhe në atë kohë kryeministri bërtiste "burg, burg, burg". Sot të gjithë bashkë me kryeministrin thonë “prezumim pafajësie, në paraburgim ka shumë”, kur në fakt ka më pak të paraburgosur në numër faktik. Përqindja e të paraburgosurve është më e ulët.
Dhe për t’i vënë pikat mbi “i”, këta të paraburgosur në totalin e tyre, në shumicë vijnë nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, vijnë nga kallëzimet që konstaton dhe çon Policia e Shtetit. Kurse shifra e të paraburgosurve që lidhen me krimin dhe korrupsionin që mbahen në qeli nga SPAK-u është vetëm 3.35% e totalit. Po ta llogarisësh këtë shifër me numrin total të personave që ndodhen duke vuajtur dënimin vlera në % del edhe më e ulët.
Pra, në çdo lloj forme që ta shikosh apo analizosh, ka një manipulim të gjerë të filluar që nga përqindja e të paraburgosurve që ka Shqipëria në vitin 2025, që shkon me një gënjeshtër publike se këtë uljen e numrit të të paraburgosurve e ka kërkuar Këshilli i Europës, kur në fakt kemi një raport nga ekspertë të Këshillit të Europës , të porositur nga qeveria shqiptare, të cilët në fund të raportit të tyre thonë "ky nuk është një qëndrim zyrtar i Këshillit të Europës".
Më pas, skenari vazhdon me iniciativën e Sokol Sadushit për të “dhunuar” Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, të cilit nuk i dha as 24 orë kohë të shqyrtonte vendimin, dhe më pas shkon te propaganda, te manipulimi i opinionit publik, te gënjeshtrat e pandalshme me një qëllim të vetëm: nxjerrja nga burgu e të vetmit zyrtar të nivelit të lartë që është në paraburgim, i cili e ka emrin Erion Veliaj.
Shifrat flasin vetë, veprimet tashmë janë zbuluar, qëllimi është i qartë. Përfundimin do të presim ta shohim për të kuptuar se deri ku do të shkojë Sokol Sadushi, nga veprimet e tij te mbështetja që i bëhet me propagandë për t’i dhënë kurajë që të vazhdojë dhe të thellojë më tej skandalin, që në finale kërkonte të çojë në lirimin e Erion Veliajt nga qelitë e Durrësit./CNA


