Gogu pret delegacionin e Notariatit italian, fokus bashkëpunimi dhe shërbimet për diasporën

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, priti në një takim një delegacion të Këshillit Kombëtar të Notariatit Italian dhe përfaqësues të Dhomës Shqiptare të Noterisë, ku u diskutua mbi mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e noterisë.

Gjatë takimit, palët ndanë vlerësime mbi marrëdhëniet ekzistuese dhe theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave profesionale dhe praktikave më të mira mes dy vendeve.

Sipas ministrit Gogu, ekziston një potencial i konsiderueshëm për të zgjeruar bashkëpunimin, veçanërisht në funksion të shërbimeve për diasporën shqiptare.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe krijimi i mekanizmave që mund të lehtësojnë procedurat noteriale për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, fillimisht në Itali dhe më pas edhe në shtete të tjera ku jetojnë shqiptarët.