Ish-ambasadori lëshon alarmin: Rendi botëror po shembet, ja çfarë e pret Shqipërinë dhe Kosovën
Shqipëria pritet të shpallë zyrtarisht Iranin si shtet sponsorizues të terrorizmit përmes një rezolute parlamentare javën e ardhshme.
Ky vendim, sipas ish-ambasadorit dhe diplomatit të karrierës Islam Lauka, është një lëvizje në drejtimin e duhur dhe në përputhje me konjukturën aktuale ndërkombëtare, duke marrë parasysh natyrën e regjimit teokratik në Teheran dhe mbështetjen e tij për grupe si Hezbollahu.
Megjithatë, përtej këtij hapi specifik, Lauka sheh një tablo shumë më të zymtë globale, duke paralajmëruar se rendi ndërkombëtar liberal po shembet, duke krijuar rreziqe ekzistenciale për shtetet e vogla si Shqipëria dhe Kosova.
Gjatë një interviste dhënë në studion e lajmeve në "Ora News", Lauka shprehu rezerva të thella ndaj politikës së jashtme “trampiste”, të cilën e cilësoi si thellësisht destabilizuese.
Sipas tij, bota po shkon drejt një rendi të bazuar te “ligji i të fortit”, ku fuqitë e mëdha negociojnë dhe ndajnë sferat e influencës mes tyre, duke anashkaluar të drejtën ndërkombëtare.
“Rendi që po sjell Trumpi është një rend i fuqive të mëdha, i marrëveshjes midis tyre. Është një rend ku të fuqishmit i thuhet ‘merr ç’të mundesh’, ndërsa të voglit i thuhet ‘duro atë që do të pësosh’,” argumentoi Lauka, duke i'u referuar maksimës së lashtë të Tukididit.
Ky transformim i sistemit ndërkombëtar është veçanërisht i rrezikshëm për Ballkanin. Ish-ambasadori theksoi se rendi liberal, që u vendos pas Luftës së Ftohtë (1989-2012), pavarësisht të metave të tij, ishte “shumë i favorshëm” për shqiptarët, pasi mundësoi ndërhyrjen në Kosovë dhe proceset integruese.
Sipas tij, politika aktuale amerikane, e cila mbështet forcat ekstreme të djathta në Europë me qëllim dobësimin e Bashkimit Europian, minon drejtpërdrejt aspiratën e Shqipërisë për anëtarësim.
Duke analizuar figurën e Donald Trump, diplomati e cilësoi atë si një “maniak”, veçanërisht në dëshirën e tij për të fituar çmimin Nobel për Paqen, ndërkohë që politikat e tij kanë shtuar konfliktet globale.
“Psikologët thonë se njeriu kërkon atë që i mungon më shumë. Dhe atij i mungon pikërisht përpjekja për paqe,” tha Lauka, duke vënë në dukje kontradiktën e një lideri që premtonte paqe, por ka hapur luftëra të reja.
Në këtë kontekst, ai përmendi një fakt domethënës: ndërsa administrata Trump vendosi tarifa tregtare ndaj aleatëve si Europa, i vetmi vend që iu shmang këtyre masave ishte Rusia e Vladimir Putinit.
Në përfundim, analiza e diplomatit Lauka pikturon një të ardhme të pasigurt, ku themelet e rendit botëror që ka garantuar një farë stabiliteti dhe mbrojtjeje për shtetet e vogla, po shkërmoqen, duke i lënë ato të ekspozuara përballë ambicieve të fuqive të mëdha.
NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE ME DIPLOMATIN ISLAM LAUKA

