Pl*gosja e rëndë e minatorit brenda minierës së bakrit në Spaç, KSSH: Nuk do heshtim, punëtorët s'kanë kushte për sigurinë e tyre
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë shpreh solidaritet me minatorin E.Gj., babai i pesë fëmijëve, i cili u plagos rëndë mbrëmjen e djeshme në minierën e bakrit në Spaç dhe ndodhet në gjendje kritike në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Sindikatat nënvizojnë se aksidenti nuk është rast i izoluar, por rezultat i kushteve të rrezikshme të punës në minierë, ku mungojnë masat bazë të sigurisë, personeli i kualifikuar dhe kontrollet e efektshme.
Punëtorët shpesh detyrohen të kryejnë detyra jashtë profesionit dhe kapaciteteve të tyre fizike, ndërsa institucionet shtetërore nuk reagojnë ndaj shkeljeve.
Minatori i aksidentuar ishte sondist, por ishte detyruar të punonte si minator për shkak të mungesës së fuqisë punëtore pas largimeve të padrejta nga puna.
KSSH kërkon hetim të plotë dhe transparent, përgjegjësi konkrete nga kompania dhe institucionet që kanë lejuar këto kushte, si dhe transparencë mbi aktivitetin e kompanisë.
Sindikata paralajmëron se nuk do të heshtë për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e minatorëve shqiptarë, duke kërkuar që jeta e punëtorëve të mos sakrifikohet për interesa ekonomike.
