At*ntati te mbikalimi i Shkozetit, nis seanca gjyqsore në ngarkim të të pandehurve Bledar Polovina dhe Amar Shkëmbi
Avokati i Amar Shkëmbit: Kam konstatuar që Amar Shkëmbi nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Gjatë gjykimit paraprak unë kisha kërkuar informacion në spitalin e burgut dhe në spitalet e Tiranës ku ai kishte marrë trajtime dhe, duke qenë se këto informacione kanë ardhur, jam i detyruar t’ua përcjell. Klienti im vuan nga probleme të shëndetit mendor që shfaqen në çdo rast. Kërkesën e kam të shoqëruar me informacionet mjekësore; kërkoj të verifikohet përgjegjësia e Amar Shkëmbit në lidhje me pjesëmarrjen ose jo në këtë procedim, në lidhje me sëmundjet mendore, nëse kjo sëmundje e pengon apo jo për të vijuar pjesëmarrjen e tij në këtë çështje. Janë elemente që, pa u verifikuar, nuk mund të vijojë gjykimi. Në seancat paraprake nuk i kam pasur këto pretendime sepse nuk kisha informacionet nga institucionet përkatëse. Subjekti duhet të verifikohet nga ana e përgjegjshmërisë.
Prokurori Adnan Xholi: Nuk pashë që avokati kishte një kërkesë specifike. Ne duhet të vazhdojmë gjykimin e themelit dhe, nëse ka kërkesë respektive për kryerjen e një ekspertimi, është e drejtë e avokatit. Dokumentacioni që ka paraqitur nuk mund të vlerësohet nga ne si juristë, por duhet të shqyrtohet nga ekspertë të mjekësisë ligjore. Nuk dëgjova nëse ka pasur apo jo kërkesë nga avokati për ekspertim të shëndetit apo për zëvendësim mase. Nuk jemi në kompetencë të shprehemi për dokumentat shëndetësore.
Në lidhje me Amar Shkëmbin, gjykata nuk merr në konsideratë kërkesën e avokatit duke qenë se i pandehuri ka qenë i pranishëm në seancën e kaluar.
Në kërkesat paraprake që u paraqitën përpara gjykatës, avokati i Bledar Polovinas kërkoi që klienti i tij të gjykohet me procedurë të shkurtuar, ndërsa mbrojtësi ligjor i Amar Shkwmbit kërkoi papërdorshmëri të çdo procesverbali.
Prokurori: Të rrëzohet kërkesa për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri si e pabazuar në ligj dhe prova.
Avokati i Amar Shkëmbit kërkoi kohë të formalizojë kërkesat me shkrim, kërkesë që u pranua nga gjykata. Seanca e radhës do të zhvillohet në datë 2 prill, ora 09:00.
Çështja në themel do shqyrtohet nga Paulin Çera, kryesues, me anëtarët Atalanta Zeqiraj dhe Besmir Stroka.
