Kërkesa e Dhomës Amerikane të Tregtisë/ Anulohet procedura e tenderit për ndërtimin e Portit në Porto Romano, Archirodon garonte e vetme

Procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano wshtw anuluar. Sipas informacioneve paraprake, kjo pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk paraqiti ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar.

Tenderi kishte një vlerë të përllogaritur prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në zonën e Porto Romanos. Kompania Archirodon, e cila ishte e vetmja që vijonte në garë në fazën përfundimtare të tenderit, nuk dorëzoi ofertën e saj financiare më 9 mars.

Ndërkohë, Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve publikoi një letër drejtuar kryeministrit Rama dhe funksionareve të shtetit, në lidhje me tenderin. Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, projekti aktual i portit është shumë i vogël, me rreth 400 metra mur moli dhe një sipërfaqe portuale prej 38 hektarësh, kapacitete që nuk mund të konkurrojnë me portet e mëdha rajonale.

Ai paralajmëroi se në këto kushte Korridori 8 mund të dështojë të zhvillohet si bosht i rëndësishëm logjistik lindje-perëndim, ndërsa flukset e mallrave do të vazhdojnë të përqendrohen në portet e Pireu dhe Selanik.

Në përfundim, ai kërkoi që tenderi i planifikuar për 9 mars të shtyhet dhe projekti të rishikohet në përputhje me kërkesat strategjike të Korridorit 8 dhe NATO-s. Sipas tij, projekti mund të zhvillohet brenda këtij viti me financim të përbashkët nga partnerë nga SHBA dhe Italia, si dhe me përfshirjen e kompanive inxhinierike nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia.