Të dhënat e shqiptarëve sërish në rrezik, ekspertja: Ja çfarë nuk po funksionon me sigurinë kibernetike

Shqetësimet mbi sigurinë e të dhënave të qytetarëve shqiptarë janë rritur sërish pas sulmeve të fundit kibernetike, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e masave mbrojtëse të shtetit.

Pavarësisht krijimit të institucioneve të dedikuara, vendi mbetet i cenueshëm, dhe sipas ekspertëve, problemi qëndron tek qasja reaktive dhe jo parandaluese.

Në përgjigje të kërcënimeve kibernetike, janë ngritur struktura si Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK), brenda të cilit funksionon edhe CERT (Ekipi i Reagimit ndaj Incidenteve të Sigurisë Kompjuterike), si dhe Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik.

Për të folur më shumë rreth kësaj teme, e ftuar në studion e lajmeve në "Ora News" ishte ekspertja kibernetike, Nadia Elbasani.

"Unë e përmenda që u krijuan disa institucione. Dhe brenda Akceskut u krijua edhe Certi. Po ashtu dhe Drejtoria për hetimin e krimit kibernetik.

Të gjitha këto janë institucione që duhet të vepronin për të parandaluar.

Pra, nuk jemi më në fazën që ne të reagojmë pasi sulmi ka ndodhur. Është shumë vonë në fakt, për një sulm kibernetik që të reagosh pasi ka ndodhur.

Do të duhet që të reagosh dhe të marrësh masa paraprakisht që sulmi të mos ndodhi. Sigurisht që është një shprehje e ditur tashmë, e pranuar që siguri kibernetike 100% asnjëherë nuk ka, por kjo nuk do të thotë që të na përsëriten sulme kibernetike të tilla, sepse dal aty ku thashë pak më përpara që është në fakt ulje e integritetit të një vendi.

Nuk ka rëndësi se çfarë të dhënash dalin. Dalin apo jo imejlet mes punonjësve të administratës, të administratës së kuvendit apo të deputetëve.

Nuk ka rëndësi kjo, se me shumë mundësi imejlin nuk e përdorin për shumë gjëra, por gjithsesi është ulje e integritetit dhe nuk do të duhet të dalin këto lloj informacionesh. Pra duhet të ishte e sigurt të paktën një institucion si kuvendi.

Duhet të kishim marrë parasysh që edhe si pasojë e ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me shtete të caktuara, duhet që aspekti kibernetik të ishte i sigurt sepse në fakt sulmi kibernetik është një nga sulmet që kryhet e para, pra është fronti i parë i, në thonjëza, luftës, dhe jo domosdoshmërisht luftë tradicionale, por edhe ndikimi gjeopolitik në aspektin kibernetik.

Atëherë, deri më tani, po themi çfarë, çfarë ka dalë nga grupi në Telegram, Homeland Justice, që supozohet që është një grup me, background iranian, po asgjë nuk dihet në mënyrë të sigurt sepse do të duhet të jenë institucionet ato që në fakt dalin me një deklaratë dhe thonë që grupi në fjalë përbëhet nga këto autorë, autori konkret i sulmit kibernetik ishte X person e të tjera me radhë.

Pra duhet të shkohet deri në fund të hetimit dhe të arrihet tek një autor.

Duhet ta bëjnë ato institucione që unë përmenda pak më parë. Sigurisht që është e vështirë.

Unë besoj që kemi të bëjmë me një neglizhim më shumë sesa me fshehje", u shpreh Elbasani.

Ndiqni intervistën e plotë: