PS kundër për arrestimin e Ballukut, Mila: S’ka asnjë akuzë reale

Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka folur mbi diskutimet në mbledhjen e grupit parlamentar lidhur me raportin për refuzimin e kërkesës së SPAK për t’i hapur rrugë arrestimit të Belinda Ballukut, e cila po hetohet për shkelje të barazisë në tendera.

Mila theksoi se debati nuk lidhet me çështje imuniteti, por me trajtimin e një rasti konkret për të cilin nuk ka pasur akuza reale.

“Nuk bëhet fjalë për imunitetin, çdo përfaqësues i Kuvendit e ka fjalën vetëm për të kufizuar rastin konkret. Sot kemi diskutuar raportin gjatë gjithë mbledhjes. Nuk ka pasur një akuzë reale. Duke qenë se sot Belinda Balluku nuk ka më funksion, postet e saj janë zëvendësuar me emrat e tjerë. Duhet të hyjmë në prova që ta vërtetojmë”, u shpreh ajo duke shtuar se PS do të votonte unanimisht në çdo moment për vendimin kundër heqjes së imunitetit.

E ftuar në Report Tv deputetja Mila i konsideroi thashetheme korridoresh zërat se nga brenda partisë janë shprehur ankesa në ambasadat e huaja.

“Çdo familje ka debatet e veta, por në fund të ditës një familje mban qëndrimin që kemi rënë të gjithë dakord. S’jam këtu për të bërë thashethemexhijen e partisë. Këto janë muhabete korridoresh”, tha ajo.

Ndër të tjera Mila theksoi se PS e mbështet reformën në drejtësi, por kjo nuk do të thotë që Kuvendi mos të ndërhyjë në gabimet që kjo reformë ka shfaqur deri tani.

"Ne jemi këtu për t'i korrigjuar gabimet e reformës në drejtësi. Ne vlerësojmë kushtet për lirinë e deputetëve. Kuvendi i Shqipërisë ka një rol të jashtëzakonshmëm edhe në këtë aspekt", theksoi ajo.