Roman Abramovich kërkon 2.9 miliardë eurot e konfiskuara nga shitja e Chelseat…

 Gazeta “The Times” zbuloi të hënën se Roman Abramovich i kishte dërguar nëpërmjet avokatëve të tij një letër qeverisë britanike në lidhje me 2.5 miliardë paund (2.9 miliardë euro) nga shitja e Chelseat në mars 2022, të cilat mbeten të ngrira. Kjo masë u vendos nga qeveria britanike pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt 2022.

Në letrën e tij, Roman Abramovich, pronar i Chelseat nga viti 2003 deri në vitin 2022, pohon pronësinë e plotë të këtyre fondeve, kundërshton ngrirjen e tyre dhe konfirmon se ai do t'i përdorë ato për të ndihmuar viktimat e luftës në Ukrainë.

Biznesmeni gjithashtu kundërshton hetimin kundër tij nga autoritetet e Jersey-t dhe ngrirjen e fondeve në këtë Zonë të Varur të Kurorës Britanike.

6.12 miliardë euro të ngrira nga autoritetet e Jersey-t

“Z. Abramovich i hedh poshtë kategorikisht akuzat dhe kundërshton hetimin, të cilin e konsideron të motivuar politikisht”, thuhet në letrën nga avokatët e ish-pronarit të Chelseat. “Ai gjithashtu ka filluar procedura ligjore kundër qeverisë së Jersey-t për përvetësim të paligjshëm të fondeve dhe abuzim me pushtetin.”

Duhet theksuar se autoritetet e Jersey-t kanë ngrirë, përveç të ardhurave nga shitja e Chelseat, një total prej 5.3 miliardë paundësh (6.12 miliardë eurosh) që i përkasin Roman Abramovich.

Avokatët e Abramoviçit kanë deklaruar se vetëm rrëzimi i akuzave dhe lirimi i fondeve do të lejojë financimin e fondacionit të tij bamirës. Qeveria dëshiron që të gjitha paratë të shkojnë në Ukrainë, ndërsa oligarku dëshiron që ato t'u jepen viktimave të luftës në Rusi.