"Çdo ndeshje është jetike"/ Prokopi: Bardheblutë s'e kanë më luksin të zgjedhin mes barazimit, fitores apo humbjes
Humbja e fundit e Tiranës ndaj Elbasanit ka thelluar krizën e skuadrës bardheblu dhe ka rritur frikën për rënien nga kategoria.
Situata e ekipit u diskutua në emisionin "Ora Sport", ku i ftuar ishte gazetari Manthe Prokopi.
Sipas tij, humbja në shtëpi ndaj Elbasanit e ka vështirësuar edhe më shumë situatën në renditje për bardheblutë, të cilët tashmë janë të detyruar të luftojnë për çdo pikë në javët e mbetura të sezonit.
“Tirana luan për mbijetesë dhe çdo ndeshje është jetike. Nuk e ka më luksin të zgjedhë mes barazimit, fitores apo humbjes. Me këtë rezultat janë ndërlikuar shumë pozitat në renditje dhe rreziku i rënies është më real se kurrë.”- tha Prokopi.
Prokopi u ndal edhe te problemet e vazhdueshme të skuadrës gjatë sezonit, duke përmendur ndryshimet e shumta në stol dhe lëvizjet e shumta në merkato që ende nuk kanë dhënë rezultat.
“Tirana ka ndërruar katër trajnerë dhe ka bërë shumë ndryshime në merkato, por problemet vazhdojnë. Nëse lojtarëve dhe trajnerit u duhen muaj për të ndërtuar skuadrën, atëherë kjo Tiranë rrezikon seriozisht mbijetesën.”- shtoi ai.
Në analizë u përmend edhe pragmatizmi i Elbasanit, i cili arriti të marrë një fitore minimale dhe të menaxhojë lojën, duke u treguar një rival i fortë në garën për mbijetesë.
Për Tiranën, ndërkohë, javët në vazhdim pritet të jenë vendimtare për fatin e sezonit.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA SPORT":

