"Osmani e rrezikon Kurtin më shumë se ndonjë lider i opozitës"/ Spahiu: Mendohet se ajo do e përdorë presidencën për...

Kriza politike rreth postit të presidentit në Kosovë lidhet me përplasjen e paralajmëruar mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.

Në një lidhje direkte për Ora News, politologu Nexhmedin Spahiu shpjegoi se refuzimi për ta mbështetur Osmanin për një mandat të dytë lidhet me kalkulime politike për të ardhmen.

Sipas tij, kryeministri e ka parë presidenten si një rrezik potencial për të ardhmen e tij politike, për shkak të ambicies së saj për të vijuar aktivitetin politik edhe pas përfundimit të mandatit presidencial.

“Unë që nga fillimi e kam parë të pamundur zgjedhjen e saj. Vjosa Osmani, duke qenë në mandatin e dytë, e rrezikon Kurtin më shumë se ndonjë lider i opozitës, sepse mendohet se pas mandatit do të vazhdojë me politikë dhe mund ta përdorë presidencën për të krijuar një forcë të re politike që do ta sfidonte atë në zgjedhjet e ardhshme.”-tha ai.

Politologu e përshkroi marrëdhënien mes dy figurave si një aleancë pa besim të ndërsjellë, ku secila palë ka qenë e gatshme të veprojë në momentin më të favorshëm politik. Në këtë situatë, sipas tij, kryeministri kishte avantazhin për të vepruar i pari.

Megjithatë, sipas Spahiut, problemi kryesor nuk lidhet me faktin që Osmani nuk u mbështet për një mandat të dytë, por me mënyrën se si u menaxhua procesi politik.

“Problemi nuk është pse Kurti nuk e kandidoi Vjosa Osmanin, por pse nuk ia dha postin ndonjërit prej liderëve të opozitës. Në këtë mënyrë mund të shmangej kriza dhe të mos rrezikohej një mandat qeverisës i fituar me 51 për qind të votave.”- shtoi Spahiu.

Spahiu e sheh deklaratën e Osmanit për “njerëz që duan t’i bëjnë keq Kosovës” si pjesë të përplasjes politike.

Ai e lidh situatën më shumë me stilin e fortë negociues të kryeministrit.

Sipas tij, politika shpesh ngjan me një lojë tërheqjeje litari: nëse shtrëngohet shumë, rrezikon të këputet. 

Ndiqni intervistën e plotë: