Bytyçi: Mungesa e mbështetjes nga Kurti për rikandidimin e Osmanit shihet si një sfidë e hapur, duket se shkak është afërsia e Osmanit me Ramën

Kriza politike në Kosovë është thelluar ndjeshëm pas dështimit për të zgjedhur presidentin e ri dhe vendimit të presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, për të shpërndarë Parlamentin. Në një analizë të situatës Enever bytyci, theksoi se lëvizjet e fundit politike janë të ndërlikuara dhe të ndikuara nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, duke vënë në pah një konflikt në rritje midis figurave kryesore politike dhe ndërhyrje të dëmshme nga Tirana zyrtare.

"Një nga elementët kyç që ndezi situatën ishte lobimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për një mandat të dytë për Vjosa Osmanin. Ky mesazh u perceptua nga Albin Kurti jo si mbështetje, por si një "sfidë".

Ndikimi i Ramës në Kosovë është vazhdimisht destabilizues, duke pretenduar se ai "nuk përçon kurrë ide, propozime apo rekomandime që e bëjnë stabile Kosovën". Përkundrazi, ai akuzohet se promovon ide të përçarjes që i shërbejnë "llogarisë personale të Aleksandër Vuçiçit".

Kjo u lidh edhe me letrën e përbashkët Rama-Vuçiç për integrim ekonomik pa atë politik, një lëvizje që shihet si një mënyrë për t'i dhënë Serbisë më shumë kohë dhe për të shmangur njohjen e Kosovës."

Dekreti i Presidentes Osmani për shpërndarjen e Parlamentit u cilësua si një "vendim absolutisht i nxituar dhe arbitrar". U theksua se një veprim i tillë do të duhej të ishte paraprirë nga konsultime të gjera me partitë politike, shoqërinë civile dhe ekspertë ligjorë. "Kosova është republikë parlamentare, jo presidenciale," u tha në analizë, duke shtuar se Parlamenti i jep llogari vetëm sovranit, ndërsa Presidenti i jep llogari Parlamentit. Për këtë arsye, veprimi i Osmanit konsiderohet si një tejkalim i kompetencave dhe se ajo "bie viktimë e nxitimit të saj".

Konflikti tashmë duket se po degradohet në një përplasje personale mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit. Lëvizja Vetëvendosje ka refuzuar ftesën e Osmanit për konsultime dhe e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se dekreti është i paligjshëm. Sipas analistit, të dy liderët shfaqin tendenca "autoritare", ndonëse Kurti përpiqet t'i fshehë, ndërsa Osmani nuk ka problem t'i deklarojë. Kjo përplasje, nëse vazhdon, rrezikon të dëmtojë rëndë imazhin e institucioneve të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ndërsa vendi shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, në skenë del edhe figura e Glauk Konjufcës si një kandidat potencial për president nga Vetëvendosje. Analisti e konsideron Konjufcën si "pak më të favorizuar" se Osmani, jo vetëm për shkak të mbështetjes së makinës partiake, por edhe për tipare personale si "urtësia, qetësia dhe maturia".

Në fund, u theksua se miqësia e ngushtë e Osmanit me kryeministrin Rama, i cili perceptohet se nuk punon për interesat e Kosovës, përbën një "ngërç" për të. Dështimi i saj për të ndërtuar një konsensus me opozitën para se të kërkonte mbështetjen e mazhorancës, shihet si një gabim strategjik që çoi në bllokimin aktual politik.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË: