Kosova në zgjedhje/ Ramabaja: Ky është një komplot kundër vendit

Analisti Sadri Ramabaja ka hedhur akuza mbi skenën politike, duke deklaruar se kriza aktuale institucionale në Kosovë është pjesë e një “komploti” të orkestruar nga Beogradi, me qëllim destabilizimin e vendit. Sipas tij, dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është një akt antikushtetues që cenon rendin dhe dëshmon për një përçarje të thellë në majat e shtetit.

"Prej më shumë se një viti janë përdorur elemente të “luftës hibride” kundër stabilitetit politik të Kosovës, me synimin për ta paraqitur atë si një shtet të dështuar.

Prapa këtij skenari qëndrojnë oligarkë që kontrollojnë skenën opozitare jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, të cilët nuk e dëshirojnë një Kosovë funksionale dhe demokratike."

Përçarja mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, sipas analistit, u thellua pas një “koketimi të theksuar” të kësaj të fundit në politikën e jashtme, duke vepruar “prapa shpinës së qeverisë”, veçanërisht në raport me Serbinë. Ai shkon më tej duke pretenduar se Osmani dhe kryeministri shqiptar Edi Rama u bashkuan kur e kthyen Kurtin në një “armik të përbashkët”, të motivuar nga “nevoja imediate personale”.

Ramabaja e cilëson veprimin e presidentes Osmani si pasojë e një “egocentrizmi të tepruar” dhe një qasjeje të bazuar në “logjikën e vasalitetit” në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku protagonizmi personal vihet mbi vullnetin e popullit. Dekreti për zgjedhje të parakohshme, sipas tij, është antikushtetues dhe shpie Republikën drejt një “erozioni të rendit kushtetues”. Ai paralajmëron se pranimi i kësaj logjike do të krijonte një cikël të pafund zgjedhjesh sa herë që opozita humbet.

Megjithatë, analisti shprehet se elektorati i Kosovës ka treguar një pjekuri politike dhe nuk ndikohet më lehtësisht nga faktorët e jashtëm, duke sjellë si shembull fitoren plebishitare të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit. Ai parashikon se nëse mbahen zgjedhje të reja dhe narrativa e Kurtit triumfon, mbështetja për të mund të arrijë deri në 70%.

Në përfundim, zgjidhja e këtij ngërçi institucional mbetet në duart e Gjykatës Kushtetuese. Ramabaja shpreson se Gjykata do të marrë një vendim “gjakftohtë” dhe të bazuar në parimet juridike, duke mbrojtur rendin kushtetues dhe duke mundësuar vazhdimin e procesit për zgjedhjen e presidentit brenda afateve ligjore.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË: