KOSOVA NDAN DHE NDËRKOMBËTARËT! BE kritikon krizën politike, SHBA përshëndet zgjedhjet e reja

Kriza politike në Kosovë pas dështimit për zgjedhjen e presidentit ka nxitur reagime të ndryshme ndërkombëtare. Bashkimi Evropian flet për pasiguri të re politike, ndërsa nga Shtetet e Bashkuara zgjedhjet e reja konsiderohen si një zhvillim pozitiv.

Kosova është futur në një fazë të re pasigurie politike, pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri të vendit, duke çuar në shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Situata politike  ka tërhequr menjëherë vëmendjen e ndërkombëtarëve.

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, e cilësoi situatën si një zhvillim zhgënjyes dhe një pengesë serioze për stabilitetin politik të vendit.

Në një reagim publik, Terras tha se dështimi për zgjedhjen e presidentit e vendos Kosovën përballë një pasigurie të re politike, në një moment kur vendi ka nevojë për stabilitet institucional dhe përparim në rrugën drejt integrimit evropian.

Ndërkohë, një reagim krejt tjetër erdhi nga Shtetet e Bashkuara. I dërguari special presidencial për misione të veçanta, Richard Grenell, i cilësoi zgjedhjet e reja në Kosovë si një lajm të mirë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Grenell shkroi se zhvillimet politike mund të hapin rrugë për ndryshime të reja në skenën politike kosovare, duke përmendur edhe mundësinë e rikthimit në politikë të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Pas shpërndarjes së Kuvendit, Presidenca e Kosovës reagoi duke theksuar se vendimi për zgjedhje të reja është marrë në përputhje me Kushtetutën.

Shefja e stafit të presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, deklaroi se Presidenca nuk është përgjegjëse për dështimin e zgjedhjes së presidentit dhe se procesi nuk ka të bëjë me përplasje personale, por me funksionimin e institucioneve.

Nga ana tjetër, opozita akuzon qeverinë për standarde të dyfishta. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, deklaroi se rregullat kushtetuese nuk mund të ndryshohen sipas interesave të momentit politik, duke kujtuar rastet kur deputetët e Vetëvendosjes nuk merrnin pjesë në votimet për president në të kaluarën.

Analistët politikë vlerësojnë se kriza aktuale është rezultat i mungesës së kompromisit politik.

Në këtë mënyrë, ndërsa Bashkimi Evropian e sheh situatën si një rrezik për stabilitetin politik, nga Uashingtoni zgjedhjet e reja konsiderohen si një mundësi për riformatimin e skenës politike në Kosovë.