Presidenca i përgjigjet Kurtit: Osmani zbatoi Kushtetutën

Learta Hollaj nga zyra e Presidencës së Kosovës, në një reagim në rrjetet sociale shkruan se presidentja Vjosa Osmani me nxjerrjen e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, e ka zbatuar atë që Kushtetuta e kërkon dhe se e ka kryer një detyrim kushtetues.

Hollaj, në reagimin e saj ndaj kritikave të bëra nga kryeministri Albin Kurti, ka thënë edhe se, “është turp” të akuzohet Osmani për “verbërim pushtetit, monarki”,  dhe se, vetë Osmani është shprehur se e mirëpret dërgimin e dekreti në Kushtetuese.

“Presidentja zbatoi atë që Kushtetuta kërkon. Pra, kreu një detyrim kushtetues e jo një dëshirë. Ajo do ta shkelte Kushtetutën sikur mos ta nxirrte një dekret të tillë”, shkruan në një postim Hollaj.

“Ta akuzosh atë për verbërim pushteti, monarki, arbitraritet e lloj-lloj fyerjesh që është turp t’i përmendim këtu, tregon se nuk keni as tolerancë minimale për njerëzit që thjesht mund të kenë interpretim ndryshe të Kushtetutës nga ai i juaji. Presidentja vetë ka thënë se e mirëpret dërgimin e këtij dekreti në Gjykatën Kushtetuese dhe se çfarëdo vendimi do ta respektojë.

Në një republikë, zelli për Kushtetutën është detyrë, jo ambicie”, përfundoi reagimi i Presidencës. /KosovaPress