Kushi: Gjuha fyese ndaj grave në Kuvend është e papranueshme, PD po shkel rezolutën e EPP-së
Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, reagoi përmes një deklarate publike mbi debatin për gjuhën ndaj grave në politikë, duke theksuar se gratë deputete socialiste mbështesin rezolutën e EPP Women kundër dhunës ndaj grave dhe duke akuzuar drejtues të Partisë Demokratike për përdorim të gjuhës fyese në Kuvend.
"Referuar një Rezolute të EPP Women të datës 8-9 Dhjetor 2025 mbi “Përballjen me Dhunën kundër Grave në Politikë dhe Jetën Publike” të rishpërndarë mbrëmë nga Zyra e Shtypit të Partisë Demokratike, ne vajzat dhe gratë deputete të Partisë Socialiste deklarojmë sa më poshtë:
- Mbështesim këtë rezolutë të tre muajve më parë dhe mesazhet e saj të qarta në mbrojtje të grave në politikë dhe jetën publike, duke shprehur habinë se një forcë anëtare e EPP si Partia Demokratike, sidomos përmes dy udhëheqësve të saj kryesorë po jo vetëm, e dhunon sistematikisht frymën e kësaj rezolute.
- Dhuna verbale me bazë gjinore dhe gjuha joparlamentare e diskriminuese nuk duhet të ketë vend në Kuvend dhe jetën publike, prandaj bëjmë thirrje që mesazhet e kësaj rezolute të Partisë Popullore Europiane të respektohen edhe nga Kryetari i simotrës shqiptare të EPP, Sali Berisha, i cili me sulmet e tij tepër të ulta fyese, diskriminuese dhe shpifëse në foltoren e parlamentit turpëron veten, familjen, vendin, partinë e tij dhe vetë EPP.
- E njëjta gjë vlen edhe për fyerjet dhe gjuhën e ulët diskriminuese të përdorur nga Kryetari i i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili i drejtohet grave dhe vajzave të Partisë Socialiste me terma që turpërojnë atë, familjen, vendin, partinë e tij dhe vetë EPP.
- Të bindura në vlerën përtej kufijve partiakë të rezolutës së EPP, ne do t’i propozojmë Kuvendit adoptimin e saj me pikë e me presje dhe urojmë që kolegët e simotrës së EPP të na bashkohen jo vetëm me vota, po edhe me vepra në respektimin e mesazheve të saj.
- Falënderojmë EPP dhe shprehim gatishmërinë tonë që të bashkëpunojmë edhe me të për çdo hap përpara në mbrojtjen e grave, duke qenë gjithashtu të gatshme të ndajmë edhe eksperiencat e bukura pozitive të Shqipërisë në këtë aspekt, falë politikave gjinore të Partisë Socialiste dhe lidershipit të kryeministrit Edi Rama", ka shkruar Evis Kushi.
