Ofendimi i Ballës ndaj Vokshit, Alizoti: Gjuha e kreut të grupit të PS ishte tragjike dhe e panevojshme!
Tomor Alizoti dënoi edhe gjuhën e përdorur nga kreu i grupit të PS, Taulant Balla, dje në Kuvend, ndaj deputetes Albana Vokshi, të cilës iu referua duke i thënë se “Për ty Albana kemi numrin 0900”.
Deputeti e cilësoi një gjuhë tragjike dhe të panevojshme, që tregonte dhe nivelin e regjimit të mazhorancës, por edhe ku kishte rënë Kuvendi.
“Gjuha e kryetarit të grupit të PS ishte tragjike e panevojshme, kur atje diskutohet për Bashkimin Evropian., Nuk shkon kjo në Kuvend, gjuha. Nuk mund të përdorësh atë gjuhë, atë fjalor ndaj një deputeteje, ndaj një kolegeje. Për më tepër kur në Kuvend po flitej për BE-në. Ngritja e opozitës në Kuvend në këmbë, në shenjë proteste është normale, është simbolike. Edhe në Bundestag në gjermani ndodh kjo, nuk ushtrohet dhunë atje, nuk konfliktohet njeri, nuk u sulmua”, tha ai për “News 24”.
Më tej akuzoi qeverinë se tani po i hiqte edhe fjalën opozitës në Kuvend, duke limituar minutazhin me rregulloren e re.
Ai e cilësoi moment kritik, por edhe çast shprese duke iu referuar gjendjes së vendit dhe protestave të opozitës.
“Pesha e Parlamentit është fjala, përleshja ndodh në protestë, por aty forca e përleshjes është fjala. Por kufizimi i fjalës në Kuvend, ne e kemi çuar në Kushtetuese, pra është sfidë fjala atje. Kryeministri nuk të vjen, ti kërkon procedurë dhe ajo të mohohet, ndaj vjen edhe shpërthimi. Ky është momenti kritik i vendit por edhe momenti i shpresës së vendit. Fakt është që jeta në Shqipëri është bërë e pamundur”, tha Alizoti.
