7 Marsi, politika uron mësuesit! Kumbaro: Mirënjohje! I juaji nuk është vetëm një profesion, por modeli i shoqërisë sonë nesër

Politika shqiptare po uron 7 Marsin ose Ditën e Mësuesit, e cila sjell në vëmendje rolin e tyre thelbësor në edukimin e brezave të rinj, formësimit të tyre dhe njëkohësisht, mirënjohjen për kontributin që sjellin në shoqëri.

Ky 7 Mars e gjen Mirela Kumbaron në krye të Ministrisë së Arsimit duke simbolizuar një moment të veçantë për të, ndërsa thekson se fatmirësisht ka rritje të pagave të tyre dhe zgjidhje ligjore për ngërçet e mëparshme. Ajo solli në vëmendje edhe sfidat me të cilat haset mësuesia sot.

“Ne e dimë se në një kohë ku teknologjia shpesh konkurron vëmendjen dhe durimin e nxënësve, nuk është e lehtë të jesh mësues, por roli juaj bëhet edhe më i rëndësishëm: të orientoni brezat e rinj drejt dijes, mendimit kritik dhe vlerave që ndërtojnë një shoqëri më të mirë”, shprehet Kumbaro.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi përcolli një reflektim të pedagoges së Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Belfjore Qose, mbi rolin dhe përkushtimin e mësimdhënësve në shoqëri.

“Dita e Mësuesit është një simbol mirënjohjeje për përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificat e mësuesve, të cilët çdo ditë përcjellin dije, formësojnë vlera dhe frymëzojnë vajzat dhe djemtë e Shqipërisë për të ndërtuar themelet e së ardhmes”, shkruan Peleshi.