VIDEO/ Shpopullimi masiv, Tabaku: Vendi në udhëkryq, si po e zbraz vendin sistemi i kapur

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me krizën e emigrimit të shqiptarëve, duke theksuar se largimi masiv, veçanërisht i të rinjve, është pasojë e një sistemi ekonomik dhe institucional të manipuluar që nuk shpërblen meritën dhe konkurrencën.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale ajo thotë se Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq të dytë historik. Deputetja nënvizoi se fenomeni është veçanërisht alarmant për shkak se rreth 60% e atyre që largohen janë të rinj, të cilët sipas saj nuk shohin mundësi reale për të ndërtuar jetën në Shqipëri.

“Janë të rinjtë që përballen me koston në rritje të jetesës, me çmime që rriten çdo ditë dhe me të ardhura gjithnjë e më të ulëta. Janë të rinjtë mbi të cilët bien taksat më të larta dhe që përballen me mungesë mundësish ekonomike”, u shpreh Tabaku.

Sipas saj, problemi nuk lidhet vetëm me tregues ekonomikë, por me mënyrën se si funksionon sistemi në vend. Tabaku argumentoi se Shqipëria ka sot një sistem që nuk vlerëson meritokracinë dhe garën e ndershme, ndërsa ekonomia është përqendruar në pak duar, duke kufizuar mundësitë për bizneset dhe investimet.

“Ka një ekonomi të kapur në pak duar dhe një mungesë gare që reflektohet në çdo sferë, nga ekonomia te administrata publike. Kjo është arsyeja kryesore pse të rinjtë largohen dhe pse bizneset mbyllen”, theksoi ajo ndër të tjera.