Fyerje të rënda në Kuvend, Zhupa: Taulant Balla duhet përjashtuar. Deputetët e PS-së janë për turp
Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë është përfshirë sërish nga tensione të larta, ku opozita akuzon mazhorancën socialiste për përpjekje të vazhdueshme për të heshtur zërin e saj dhe për të minuar proceset parlamentare.
Pika kulmore e përplasjes ishte një incident i rëndë, ku sipas opozitës, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, përdori gjuhë fyese ndaj deputetes demokrate, Albana Vokshi.
Në një intervistë për “Ora News”, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, deklaroi se mazhoranca po vepron në mënyrë të njëanshme për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit, duke shpërfillur një vendim të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese që mbronte të drejtën e shprehjes së deputetëve.
Një nga masat e ndërmarra, sipas saj, është përgjysmimi i kohës së fjalës për opozitën, nga 10 minuta në vetëm 5 minuta.
“Nuk durojnë dot fjalën e opozitës atje, nuk durojnë dot qëndrimet pro-qytetarit, qëndrimet pro-kushtetutës”, tha ajo.
Situata eskaloi gjatë diskutimit të një projektligji për arsimin, kur sipas deputetes Zhupa, Taulant Balla i drejtoi koleges së saj, Albana Vokshi, “fyerje të rënda, personale, në cënim të dinjitetit njerëzor”.
Ajo kritikoi ashpër hipokrizinë e mazhorancës, e cila nga njëra anë promovon propagandë për respektin ndaj grave dhe nga ana tjetër lejon një gjuhë të tillë “aspak parlamentare dhe aspak të denjë” në sallën e Kuvendit.
Si pasojë e këtij incidenti, opozita ka bërë të ditur se do të dorëzojë një kërkesë zyrtare për përjashtimin e deputetit Balla nga seanca plenare.
Megjithatë, deputetja Zhupa shprehu pesimizëm për rezultatin e kësaj kërkese, duke theksuar se Komisioni i Etikës kontrollohet nga mazhoranca.
“Nuk besoj se kanë ndërmend ta përjashtojnë kryetarin e grupit. Maksimumi mund t'i tërheqin vërejtje, por këto janë të pamjaftueshme për atë gjuhë dhe për atë cënim të dinjitetit njerëzor”, u shpreh ajo.
E pyetur nëse Parlamenti aktual pasqyron nivelin e shoqërisë shqiptare, Zhupa u përgjigj se opozita është përpjekur të sjellë në Kuvend figura sa më përfaqësuese, ndërsa kritikoi zgjedhjet e bëra nga mazhoranca, duke i cilësuar si “për të ardhur turp dhe keq”.
PJESË NGA INTERVISTA
Ina Zhupa: Projektligji i sjellë nga PS-ja anulon detyrimet ndaj drejtësisë për të mbrojtur të korruptuarit e vet dhe tashmë në këtë luftën për t'i marrë opozitës çdo hapësirë dhe për të fundosur parlamentarizmin, e cila reflektohet edhe në ndryshimet e njëanshme që duan t'i bëjnë përsëri Rregullores së Kuvendit, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që thoshte pikërisht që është cënuar e drejta e shprehjes e deputetëve, sepse Gjykata Kushtetuese e rrëzoi rregulloren e vjetër pikërisht sepse u miratua brenda ditës dhe nuk la hapësirën që ne ta diskutonim, ne të arrinim të kuptoheshin ndryshimet edhe për qytetarët.
Përpjekjet e njëanshme vazhduan për të cënuar kohën e opozitës, për ta kthyer atë nga 10 minuta në pesë minuta, sepse nuk durojnë dot fjalën e opozitës atje, nuk durojnë dot qëndrimet pro-qytetarit, qëndrimet pro-kushtetutës dhe eskaluan më pas, dhe ju e patë se çfarë ndodhi, eskaluan në një sallë e cila nga diskutimi i një projektligji shumë të rëndësishëm, siç ishte projektligji për mësuesit, për arsimin parauniversitar, eskaluan në fyerje të rënda, personale, në cënim të dinjitetit njerëzor të një zonje.
Dhe janë këta që flasin gjithë ditën, Gëzuar 7 marsin, Gëzuar 8 marsin, festa e grave, se gratë, se qeveria me më shumë gra. Pra, propagandë të madhe për respektin e grave, ndërkohë vetë kryetari i grupit parlamentar, vjen atje dhe përdor një gjuhë aspak jo parlamentare, po aspak të denjë e për këdo, për në çdo mjedis, për t'ju drejtuar një zonje.
Dhe ajo që ne kërkuam, që dhe ju e paraqitni tani që eskalohej edhe momenti atje, ne kërkuam që të përjashtohet nga seanca zoti Balla. Dhe nuk është hera e parë as e fundit që kryetari i Kuvendit në një moment për secilin nga deputetët kur kanë bërë minimumin e minimumit, pra kur s’kanë bërë kaq shkelje të rënda sa zoti Balla, i ka thënë që je i përjashtuar nga seanca, dhe janë shumë deputetë opozitarë që janë përjashtuar në mes të seancës vetëm se kanë kërkuar fjalën. Kurse frika që ka në raport me kryetarin e grupit të socialistëve, e bën të pamundur kryetarin e Kuvendit që të merrte një vendimmarrje për ta përjashtuar nga seanca. Si një shenjë po të distancohen nga gjuha.
Ne do të paraqesim sot një kërkesë për përjashtimin e zotit Balla. Dhe sigurisht që pritshmëritë nuk janë aq të larta, sepse keni parasysh që sekretariati i etikës përbëhet nga mazhoranca, në shumicën e vet.
Drejtohet po nga mazhoranca dhe nuk besoj se kanë ndërmend ta përjashtojnë ata kryetarin e grupit. Maksimumi mund t'i tërheqin vërejtje, po këto janë të gjitha të pamjaftueshme për atë gjuhë dhe për atë shembull dhe për atë cënim të dinjitetit njerëzor që i bëri koleges Albana Vokshi, një zonjë, mamaja e dy vajzave, në sallën e parlamentit, që s'po bënte asgjë përveçse po kërkonte shpjegime për projektligjin.
Zonja Zhupa, a është ky Kuvendi që pasqyron nivelin e shoqërisë apo në Kuvend po futen gjithnjë e më shumë njerëz me nivel të ulët që më pas kontrollohen edhe më lehtë?
Ina Zhupa: Shiko, në këto raste dua të them faktikisht sepse unë jam pjesë e Kuvendit, opozita është munduar që në Kuvendin e Shqipërisë të bëjë zgjedhje sa më përfaqësuese të qytetarëve, njerëz që kanë lidhje edhe me zonat e tyre, kanë një background, një formim të mirë edhe intelektual, janë njerëz, politikanë në shumicën e grupit. Ndërsa po të shikosh mënyrën e përzgjedhjes dhe atë çka ka ofruar mazhoranca në Kuvend, është ndonjëherë për të ardhur turp edhe për të ardhur keq që duhet të përballesh me atë lloj niveli. Megjithatë, unë mendoj që çdo forcë politike përfaqësohet në mënyrën se si është ajo e ndërtuar vetë. Dhe sot Partia Socialiste nuk ka më njerëz të cilët intelektualisht mund ta mbrojnë.


