Bozdo: Kur një deputet denigron një kolege në publik, ai ka cenuar dinjitetin e çdo gruaje shqiptare

Deputeti i PD-së, Eno Bozdo ka reaguar ashpër pas ofendimit të rëndë të deputetit të PS-së Taulant Balla ndaj deputetes Albana Vokshi.

Reagimi i Eno Bozdos:

Dënoj me ashpërsinë më të madhe gjuhën e përdorur nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndaj deputetes znj. Albana Vokshi.

Shprehje të tilla janë vulgare, denigruese dhe të papranueshme për një institucion kaq të rëndësishëm si Parlamenti. Ato nuk cenojnë vetëm dinjitetin e një deputeteje, por edhe figurën dhe respektin që duhet të gëzojë çdo grua në jetën publike dhe politike. Sjellja e Taulant Ballës përbën një akt të rendë.

Kur një deputet përdor fjalë ofenduese dhe denigruese ndaj një kolegeje në publik, ai nuk ka ofenduar vetëm atë, por ka cenuar dinjitetin e çdo gruaje shqiptare.