Ofendimet e Ballës, Gjekmarkaj: Dënoj me ashpërsinë më të madhe aktin e denigrimit të një gruaje deputete

Nënkryetari i parlamentit, njëkohësisht deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj ka dënuar ashpër gjuhën e përdorur nga deputeti i PS-së, Taulant Balla ndaj deputetes së PD, Albana Vokshi.

‘Kërkoj publikisht nga drejtuesi i Kuvendit të Shqipërisë që të reagojë dhe të mos tolerojë këtë degradim të papranueshëm të etikës parlamentare.’, shkruan Gjekmarkaj.

Reagimi i deputetit të PD, Agron Gjekmarkaj: 

Dënoj me indinjatë të thellë gjuhën e ulët dhe fyese të përdorur sot nga Taulant Balla ndaj deputetes Albana Vokshi në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.

Shprehje të tilla vulgare dhe denigruese, që synojnë të poshtërojnë një grua dhe një përfaqësuese të zgjedhur të qytetarëve, janë një akt i papranueshëm që turpëron institucionin e Parlamentit dhe degradon rëndë etikën e debatit politik në vend. Kur një drejtues i një grupi parlamentar përdor një gjuhë të tillë, ai nuk fyen vetëm një deputete, por ofendon çdo grua shqiptare dhe vetë dinjitetin e institucionit që përfaqëson.

Sjellje të tilla tregojnë arrogancë, mungesë respekti dhe një kulturë politike që ka zëvendësuar argumentin me fyerjen. Parlamenti nuk mund të kthehet në një hapësirë ku gjuha e rrugës përdoret për të intimiduar dhe poshtëruar kundërshtarët politikë.

Kërkoj publikisht nga drejtuesi i Kuvendit të Shqipërisë që të reagojë dhe të mos tolerojë këtë degradim të papranueshëm të etikës parlamentare.

Politika shqiptare ka nevojë për debat, argument dhe respekt – jo për fyerje, vulgaritet dhe dhunë verbale. Heshtja përballë një gjuhe të tillë do të ishte bashkëfajësi. Sot është detyrë e çdo përfaqësuesi publik të ngrejë zërin kundër këtij degradimi të papranueshëm të jetës parlamentare.