Deklaratat fyese të Ballës, Garo: Gratë shqiptare nuk do të heshtin përballë këtij degradimi moral nga kjo qeveri

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo ka reaguar ashpër pas skandalit në sallën e parlamentit, ku deputeti i PS-së, njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla ofendoi rëndë deputeten Albana Vokshi.

Garo shkruan se, kjo është e papranueshme.

‘T’i thuash një gruaje, një nëne, në sallën e Parlamentit, se për të ka një numër telefoni 0900… është një akt që nuk ofendon vetëm një deputete të opozitës. Ai cenon dinjitetin e gruas shqiptare dhe degradon nivelin e debatit publik në vend’, shkruan Floriana Garo në reagimin e saj.

Reagimi i zëdhënëses së PD, Floriana Garo:

Sot në Parlamentin e Shqipërisë u dëgjua një gjuhë që nuk i përket as institucioneve të një vendi europian dhe as traditës shqiptare.

Deklarata e deputetit Taulant Balla ndaj kryetares së Forumit të Gruas së Partisë Demokratike, deputetes Albana Vokshi, është e papranueshme dhe fyese për çdo grua shqiptare.

T’i thuash një gruaje, një nëne, në sallën e Parlamentit, se për të ka një numër telefoni 0900… është një akt që nuk ofendon vetëm një deputete të opozitës. Ai cenon dinjitetin e gruas shqiptare dhe degradon nivelin e debatit publik në vend.

Parlamenti duhet të jetë vendi ku përballen idetë, jo ku poshtërohen gratë. Arroganca e pushtetit ka kaluar çdo masë. Kur një përfaqësues i mazhorancës përdor këtë gjuhë, ai tregon varfëri morale dhe mungesë respekti për shoqërinë.

Sot nuk është thjesht çështja e Albana Vokshit. Sot është çështja e dinjitetit të çdo gruaje shqiptare që meriton respekt në familje, në shoqëri dhe në jetën publike.

Gratë shqiptare nuk do të heshtin përballë këtij degradimi moral nga kjo qeveri.