Wadephul: Hungaria duhet t’i japë fund bllokadës së fondeve të BE-së për Kievin
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, i bëri thirrje sot Hungarisë që të ndalë bllokimin e kredive të reja të Bashkimit Europian me vlerë miliarda euro për Ukraina, të destinuara për të mbështetur mbrojtjen e saj kundër Rusisë.
“Nuk mund të përballojmë më bllokada të papranueshme, si ato që po vendos aktualisht Hungaria, që vonojnë këtë ndihmë urgjente dhe, si pasojë, kushtojnë jetë njerëzish, sepse mungojnë burime thelbësore për mbrojtjen kombëtare,” tha Wadephul para nisjes për një takim jozyrtar të Këshillit të Shteteve të Detit Baltik në Varshavë.
Ai theksoi se në afat të shkurtër është jetike që Ukrainës t’i sigurohen sa më shpejt 90 miliardë euro (105 miliardë dollarë). Nga kjo shumë, 60 miliardë euro janë parashikuar posaçërisht për përpjekjet mbrojtëse të Kievit.
Hungaria e ka justifikuar bllokimin e sanksioneve të reja të BE-së kundër Moskës dhe veton ndaj kredisë me faktin se nuk po merr më naftë ruse përmes tubacionit “Druzhba”, që kalon nëpër Ukrainë, pasi sipas saj, Kievi nuk po e riparon pas një sulmi rus.
Wadephul theksoi se vendet europiane duhet të bëjnë edhe më shumë për të ndihmuar Ukrainën, përfshirë mbështetjen e rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE. Sipas tij, anëtarësimi mund të jetë “ndoshta garancia më e rëndësishme e sigurisë për Ukrainën në të ardhmen”.
Në shkurt, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi sërish në Konferencën e Sigurisë në Mynih që vendi i tij të anëtarësohet në BE që në vitin 2027. Megjithatë, kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se nuk e konsideron këtë të realizueshme.

