ZGJIDHET PASUESI I KHAMENEIT/ Përshkallëzim rajonal, s*lme dhe tensione në Lindjen e Mesme
Në kulmin e përshkallëzimit ushtarak në Lindjen e Mesme, Asambleja e Ekspertëve ka zgjedhur Mojtaba Khamenein si Udhëheqësin e ri Suprem të Iranit, pas vrasjes së Ali Khamenei. Ndërkohë, sulmet mes Izrael dhe Iran janë intensifikuar, ndërsa janë goditur edhe objekte diplomatike amerikane në rajon.
Katër ditë pas nisjes së sulmeve ajrore të koordinuara nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit në Teheran dhe Bejrut, Lindja e Mesme ndodhet përballë një përshkallëzimi të rrezikshëm me pasoja të paparashikueshme.
Zhvillimi më i bujshëm vjen nga Teherani, ku Asambleja e Ekspertëve ka zgjedhur Mojtaba Khamenein, djalin e liderit të vrarë Ali Khamenei, në postin e Udhëheqësit Suprem.
Sipas, vendimi u mor në një mbledhje online, pas sulmit ajror që goditi selinë e institucionit, pa shkaktuar viktima.
Në terren, përplasjet vazhdojnë. Izraeli ka nisur operacione tokësore në jug të Libanit kundër Hezbollah, ndërsa në Teheran janë goditur objekte që konsiderohen infrastrukturë kyçe e regjimit.
Tensionet janë shtrirë edhe në Gjirin Persik. Një dron goditi zonën e parkimit pranë konsullatës amerikane në Dubai. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi se nuk ka viktima dhe se personeli diplomatik është i sigurt. Shtetet e Bashkuara kanë mbyllur përkohësisht disa ambasada në rajon, përfshirë në Kuvajt dhe Arabinë Saudite.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaron se kapacitetet ushtarake të Iranit janë “shkatërruar kryesisht”, ndërsa Teherani paralajmëron se ende nuk ka përdorur armët më të avancuara në dispozicion.
Frika për një konflikt më të gjerë rajonal po rritet, veçanërisht për shkak të kërcënimeve për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit dhe ndikimit të mundshëm në tregjet globale të energjisë.
Rajoni mbetet në alarm maksimal, ndërsa komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për përmbajtje dhe shmangie të një lufte të hapur me pasoja globale.
