SHBA dhe Ekuadori nisin operacione të përbashkëta kundër trafikimit të drogës

Forcat e Ekuadorit dhe ato të Shteteve të Bashkuara kanë nisur operacione kundër organizatave të cilësuara si terroriste në vendin e Amerikës së Jugut, njoftoi  “United States Southern Command”, sipas BBC.

Ajo  bëri të ditur se veprimi synon luftimin e trafikimit të paligjshëm të drogës, por nuk dha detaje të mëtejshme në deklaratën e publikuar në platformën X.

Njoftimi vjen një ditë pasi presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, deklaroi se SHBA-ja është mes “aleatëve rajonalë” që po marrin pjesë në një “fazë të re” të luftës së vendit kundër kartelëve të drogës.

Sipas Noboas, rreth 70% e kokainës botërore kalon tashmë përmes porteve të mëdha të Ekuadorit, duke e bërë vendin një pikë strategjike për bandat e trafikimit. Ekuadori kufizohet me Kolombinë dhe Perunë, dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë.

Operacionet e fundit vijnë katër muaj pasi qytetarët e Ekuadorit hodhën poshtë, përmes referendumit, rikthimin e bazave të huaja ushtarake në vend – një goditje për Noboa-n, aleat i afërt i presidentit amerikan Donald Trump, i cili synon të luftojë krimin e organizuar dhe të ulë nivelin e lartë të dhunës.

Në vitet e fundit, Ekuadori është shndërruar në një nga pikat më të nxehta të trafikimit të drogës në botë.

Njoftimi vjen tre muaj pasi Uashingtoni shpalli një dislokim të përkohshëm të personelit të Forcave Ajrore në ish-bazën amerikane në qytetin portual Manta.

Lufta kundër trafikimit të drogës në rajon është një prioritet kyç për SHBA-në. Administrata Trump ka kryer mbi 40 sulme vdekjeprurëse ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor që nga shtatori.

Në janar, SHBA-ja arrestoi presidentin e atëhershëm të Venezuelës, Nicolas Maduro, të cilin e akuzoi për “narko-terrorizëm” dhe për lehtësimin e transportit të mijëra tonëve kokainë drejt SHBA-së.