TRUMP, REKORD S*LMESH/ Mediat italiane analizojnë ofensivën ushtarake globale të presidentit
Sipas medias italiane La Repubblica, presidenti amerikan Donald Trump, i cili gjatë fushatës premtoi se do të ishte “presidenti i paqes”, ka urdhëruar një seri të paprecedentë sulmesh ushtarake në mbarë botën, duke përfshirë Iranin, Sirinë, Somalinë dhe Venezuelën, ndërsa tensionet ndërkombëtare mbeten të larta.
Nga “presidenti i paqes” në komandantin me më shumë operacione ushtarake në kohë rekord. Kështu e përshkruan e përditshmja italiane La Repubblica rikthimin në pushtet të Donald Trump, duke theksuar kontrastin mes retorikës elektorale dhe veprimeve konkrete në politikën e jashtme.
Gjatë fushatës presidenciale, Trump kishte paralajmëruar votuesit amerikanë se rivalja e tij, Kamala Harris, do ta çonte vendin në luftë, ndërsa ai vetë premtonte stabilitet dhe përqendrim tek ekonomia e brendshme.
Por sipas analizës së medias italiane, më shumë se një vit nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, administrata e tij ka zgjeruar ndjeshëm hartën e ndërhyrjeve ushtarake.
Operacionet nisën në Somali kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe vijuan në Irak e Siri, me sulme ajrore të koordinuara kundër objektivave terroriste. Në janar, një operacion në Siri çoi në vrasjen e një figure të lidhur me Al-Kaedën. Sulme të tjera u raportuan edhe në Nigeri.
Kulmi i tensioneve u arrit në qershor, kur Shtetet e Bashkuara iu bashkuan Izraelit në goditjet ndaj objekteve bërthamore iraniane në Fordow, Natanz dhe Isfahan, duke përdorur bombardues strategjikë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi. Pas operacionit, Trump deklaroi “eliminimin e kërcënimit bërthamor”, por sipas analistëve europianë, rajoni mbetet një fuçi baruti.
Në vjeshtë, vëmendja u zhvendos në Amerikën Latine, me operacione kundër trafikut të drogës në Venezuelë dhe zhvillime që, sipas burimeve lokale, përfshinë edhe arrestimin e presidentit Nicolás Maduro.
Media italiane thekson se, ndonëse disa paraardhës si Harry Truman, Lyndon B. Johnson apo Richard Nixon drejtuan luftëra të mëdha si Koreja dhe Vietnami, intensiteti dhe shtrirja gjeografike e operacioneve aktuale po hap një debat të ri mbi rolin global të Shteteve të Bashkuara.
Në Europë, reagimet mbeten të kujdesshme, ndërsa shumë kryeqytete ndjekin me shqetësim zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe në kontinentin amerikan.
