"Po flet propaganda"/ Andoni: Po dominohemi me narrativa të rreme për s*lmin në Iran, media britanike më e 'ftohtë'

I ftuar në emisionin “Ora e Betit”, analisti Ben Andoni komentoi operacionin ushtarak të ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit dhe debatet që kanë shpërthyer rreth natyrës së këtij veprimi.

Andoni bëri dallimin mes një operacioni ushtarak dhe një lufte të shpallur formalisht, duke sqaruar se këto janë dy koncepte të ndryshme në të drejtën ndërkombëtare.

Sipas tij, administrata amerikane ka vepruar brenda kompetencave kushtetuese që i jep Presidentit roli i Kryekomandantit.

“Operacioni ushtarak i ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara nuk është luftë. Në të drejtën ndërkombëtare ka impakt krejt tjetër.”-tha Andoni.

Ai solli në vëmendje edhe faktin se autoriteti për veprime të tilla është i parashikuar në Kushtetutën amerikane, ndërsa vendimi është marrë nga Presidenti në cilësinë e tij si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.

Megjithatë, sipas tij, pasojat për rajonin dhe më gjerë mbeten të paparashikueshme.

Në analizën e tij, Andoni u ndal edhe te klima mediatike, duke vënë në dukje se informacioni aktual dominohet nga narrativa propagandistike dhe jo gjithmonë nga burime të verifikuara.

“Tashmë po flet propaganda, nuk flasin burimet. Konsultimet më të mira mund të bëhen me median amerikane dhe britanike që është më e ftohtë.”- shtoi analisti.

Ai përmendi edhe reagimin e JD Vance si një sinjal të rëndësishëm politik, duke kujtuar se më herët ai ka qenë kundër ndërhyrjeve ushtarake amerikane, ndërsa tani ka mbështetur aksionin.

Sipas Andonit, kjo tregon se brenda SHBA-së po krijohet një mbështetje më e gjerë politike për operacionin, pavarësisht diskutimeve mbi ligjshmërinë dhe pasojat e tij.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT":