E bllokuar prej 5 ditësh në Dubai për shkak të sulmeve/ Flet Kryetarja e Ndërmjetësimit: Rreth 150 shqiptarë janë të bllokuar këtu
Në një lidhje direkte për emisionin “Ora e Betit”, Drita Avdyli, Kryetare e Dhomës së Ndërmjetësimit, foli nga Dubai, ku prej pesë ditësh ka mbetur e bllokuar për shkak të sulmeve që paralizuan Emiratet e Bashkuara Arabe.
Avdyli ndodhej në Dubai për të marrë pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti Mesdhetar, si edhe për çështje pune që lidhen me institucionin që ajo drejton për zgjidhjen e konflikteve jashtë gjykatave.
“Ditën e parë i kam shkruar vetë ambasadës dhe jam ofruar për të parë si mund të organizohemi, por vetëm së fundmi u krijua një grup informues.”- tha Avdyli.
Situata e krijuar nga moti ekstrem dhe tensionet në rajon ka vështirësuar lëvizjen dhe kthimin në Shqipëri.
Sipas saj, rreth 150 shtetas shqiptarë ndodhen aktualisht të bllokuar në Dubai dhe Abu Dhabi.
Ajo tregon se komunikimi me ambasadën shqiptare ka nisur me iniciativën e vetë qytetarëve, ndërsa vetëm ditët e fundit janë mbledhur emrat dhe kontaktet dhe është krijuar një grup në WhatsApp për informim.
Megjithatë, procesi i kthimit po bëhet individualisht, pa një plan të koordinuar riatdhesimi.
Ndërkohë, qytetarët po përballen me pasiguri dhe me kosto të larta qëndrimi.
“Në fakt kthimin po e bëjmë në mënyrë individuale, nuk ka një organizim të mirëfilltë shtetëror."- shtoi ajo
Avdyli thotë se situata është e vështirë jo vetëm për shkak të pamundësisë së lëvizjes, por edhe për shkak të tensionit që krijon një krizë e papritur larg vendit.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT":
