"Financimi i partive, një nga rekomandimet tona", Ambasadori i OSBE-së: Tryeza sinjal pozitiv, dialogu politik mes partive për Reformën Zgjedhore është thelbësor!

Në tryezën e mbajtur sot nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, mbajti fjalën e tij edhe kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran.

Ai vlerësoi tryezën si një sinjal pozitiv, duke theksuar se financimi i partive duhet të rregullohet dhe sanksionohet me ligj, pasi është një nga gjetjet e OSBE-ODIHR në raportin dhe rekomandimet e zgjedhjeve të fundit parlamentare, të 11 majit 2025, por edhe zgjedhjeve të mëparshme.

Ai u shpreh se koha për zgjedhjet e ardhshme lokale është e afërt, viti 2027 dhe duhet të arrihej patjetër në Reformën Zgjedhore të kërkuar, ku thelbësor është dialogu politik mes partive.

“Vendosja e sanksioneve për të parandaluar financimet e paligjshme. Parimet janë të lidhura ngushtë me gjetjet dhe rekomandimet e fundit të OSBE-ODIHR për financimin e partive nga zgjedhjet e fundit. Thelbësore është kuadri i financimit të partive politike dhe kuadri ligjor i paplotë që çon në një element të rëndësishëm”, tha Tarran.

Më tej ai vuri në dukje gjetjet dhe rekomandimet në vitet e fundit nga misioni OSBE-ODIHR, ku problematikat kryesore mbeten financimi i partive dhe fryma e dialogut. Tarran nënvizoi se prezenca e mbështet fuqishëm këtë Komision për Reformën zgjedhore.

“Raportet e zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe të mëparshmet evidentuan një sërë fushash me probleme. Në këtë kuadër prezenca e OSBE thekson angazhimin e saj për të mbështetur punën e këtij Komisioni për Reformën Zgjedhore, me prezencën e saj. Mbështesin dialogun mirëkuptiv mes partive politike, pasi dialogu konstitucional është thelbësor dhe rrit besimin e qytetarëve te procesi zgjedhor”, vijoi kreu diplomatik i OSBE-së.

Dhe në fund ai apeloi që të nxitohej në arritjen e kësaj reforme, pasi zgjedhjet lokale ishin afër.

“Meqë zgjedhjet lokale janë në vitin 2027, janë afër, reforma është vendimtare, për të arritur zbatimin kuptimplotë të saj, ndaj dialogu është i rëndësishëm edhe në përfshirjen e partnerëve, faktorëve të tjerë, shoqërisë civile, për të arritur rezultate në këtë reformë”, tha Tarran.

Tarran vuri theksin tek domosdoshmëria e kontrollit të financimit të partive, sipas kuadrit ligjor dhe “bazuar në Kushtetutë”. Ai theksoi se auditi në këtë fushë është i rëndësishëm dhe duhet të zgjidhet duke marrë masat konkrete dhe duke e arritur nëpërmjet Komisionit të Reformës Zgjedhore.