Alolli: Shembja e aksit Librazhd-Përrenjas izoloi juglindjen, pasoja të rënda për ekonominë dhe turizmin
eputetja e Partisë Demokratike, Ledina Alolli ngriti në Kuvend shqetësimin për situatën e krijuar pas shembjes së ndodhur në aksin Librazhd-Përrenjas, duke theksuar se kjo ngjarje ka sjellë izolimin e zonës juglindore të vendit dhe pasoja të ndjeshme për ekonominë lokale.
Gjatë fjalës së saj në seancë plenare, Alolli deklaroi se bllokimi i kësaj arterie kryesore ka ndërprerë lidhjen e qarkut të Korçës me pjesën tjetër të vendit, duke krijuar vështirësi për banorët dhe bizneset.
“Në këto momente e gjithë juglindja e vendit është e bllokuar. Banorët janë të izoluar. Është izoluar arteria kryesore e juglindjes. Kjo ka krijuar probleme shumë të mëdha. Ka bllokuar Korçën nga pjesa tjetër e vendit. Një situatë e paprecedentë, që ka sjellë izolimin e plotë të disa bashkive. Kjo ka sjellë problematika të mëdha në ekonominë e banorëve të qarkut Korçë. Atyre u është përmbysur normaliteti i jetës”, u shpreh deputetja.
Alolli theksoi se, sipas ekspertëve, shembja e aksit nuk lidhet me faktorë natyrorë, por me shkelje të rënda teknike dhe cenim të standardeve në ndërtim, duke e cilësuar situatën si pasojë të korrupsionit.
Sipas saj, bizneset lokale janë përballur me kosto të rritura për shkak të devijimit të qarkullimit, ndërsa sektori i turizmit po përjeton humbje të konsiderueshme në një periudhë të rëndësishme për ekonominë e zonës.

