VELIAJ MERR “ZARFIN E ZI” / Më 9 mars nis gjyqi për kryebashkiakun e arrestuar dhe “shokët”

Gjykata e Posaçme ka caktuar datën 9 mars, për nisjen e gjyqit ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe 29 të bashkëpandehurve në dosjen e bujshme të SPAK. Kryebashkiaku do përballet me drejtësinë për 13 akuza që përfshijnë korrupsion e abuzim me detyrën

Më 9 Mars, Erion Velaj do të ulet në bankën e të akuzuarit, ndërsa Gjykata e Posacme do të nisë gjyqin në themel për dosjen e bujshme të SPAK për kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës.

Bashkë me Veliajn nën akuzë është edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe 28 persona e shoqëri, që sipas prokurorisë së Posacme janë pjesë e një skeme abuzimi e korrupsioni të dyshuar.

Ëngjëllushe Tahiri është përzgjedhur si relatore, ndërsa treshen që do të flasë në emër të drejtësisë në këtë process e plotësojnë Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj.

Gjykata e Posaçme pranoi më 9 Shkurt, kërkesën e Prokurorisë së Posacme për të nisur gjykimin me themele për dosjen në ngarkim të Kryebashkiakut të arrestuar dhe bashkëpunëtorëve.

SPAK ka ngritur ndaj Erion Velajt, 13 akuza për vepra penale, si korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash. Kryebashkiaku I Tiranës u arrestua më 10 Shkurt të vitit 2025 dhe prej asaj ditë ai mbahet në paraburgim, ndërsa ka dështuar në cdo përballje ligjore me SPAK për të dalë në liri.

Krahas Veliajt e bashkëshortes së tij, Xoxa, nën akuzë në këtë dosje është edhe ish kryetarja e Komisionit të ligjeve, Klotilda Bushka  që akuzohet nga SPAK për veprime në pengim të drejtësisë.

Ish ligjvënësja pasi u vu nën hetim, bëri disa përpjekje për ti shpëtuar përballjes me gjyqin public në Gjykatën e Posacme, por dështoi në kërkesat për ti shpëtuar juridiksionit të strukturës që gjykon korrupsionin dhe abuzimet e zyrtarëve të lartë.

 Nën akuzë janë biznesmenin Elman Abule, sipërmarrës të tjerë dhe shoqëri e organizata, që dyshohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.