Luarasi "e mërzitur" nga protesta e fundit: Pamjet me flakë në zemër të Tiranës largojnë turistët
Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, gjatë fjalës së saj në seancën e sotme të Kuvendit, dënoi dhunën e ushtruar gjatë protestës së Partisë Demokratike dhe theksoi se ajo ka pasoja serioze për ekonominë, turizmin dhe sigurinë e qytetarëve.
Luarasi u shpreh se veprimet e dhunshme, përfshirë hedhjen e molotovëve pranë Vilës 31 ku ndodheshin 12 artistë, kanë krijuar situatë frike dhe kanë dërguar mesazhe negative jashtë vendit.
“Kur flasim për turizmin, nuk po flasim për një çështje politike. Kur një turist vendos të vijë në Shqipëri, ai nuk sheh kush është në pushtet, por nëse Shqipëria është një vend i sigurtë. Pamjet me molotovë, me flakë, me tension, janë pamje që për fat të keq nuk mbeten vetëm brenda Shqipërisë, sepse përhapen menjëherë në mediet ndërkombëtare dhe krijojnë perceptimin e pasigurisë. Turizmi sigurisht që nuk e do flakën dhe dhunën, sepse mjafton një titull i vetëm në mediet ndërkombëtare, një foto e vetme me molotovë në zemër të Tiranës, që shumë njerëz të anulojnë pushimet, të ndryshojnë destinacionin dhe të largohen nga Shqipëria”, deklaroi deputetja socialiste.
Ajo theksoi se situata ka ndikim të drejtpërdrejtë te bizneset e vogla në qytete si Vlorë dhe Shkodër, ndërsa qytetarët paguajnë pasojat e dhunës së kryer nga një pjesë e opozitës. Luarasi u shpreh se përdorimi i dhunës pranë një qendre arti ku bashkëpunojnë artistë shqiptarë dhe të huaj është i papranueshëm dhe cenon imazhin e vendit.
“Brenda Vilës 31 ku ndodheshin artistë të huaj, u krijua një situatë frike për jetën. Fatmirësisht të gjithë janë mirë, por mesazhi që doli jashtë vendit nuk është ai që duam. Nuk është mirë të hedhësh molotovë ndaj një qendre arti. Tërësisht e papranueshme që fëmijët të përdoren për hedhje molotovi. Dhuna nuk është protestë, është përpjekje për të prishur imazhin e vendit. Nuk mund të kërkojmë nga Evropa të na hapë dyert kur dhuna bëhet kryeçelësi i opozitës. Institucionet ndërkombëtare e kanë dënuar këtë akt dhe ne kemi detyrimin të mbrojmë imazhin kombëtar. Shqipëria ka nevojë për qetësi dhe jo për frikë”, tha Luarasi.
Deputetja nënvizoi se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të kritikojnë, por jo të përdorin dhunë që cenon pronën, jetën dhe ekonominë.
Ajo bëri thirrje për qetësi, përgjegjësi dhe respekt të ligjit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së imazhit dhe sigurisë së vendit për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë.

