12 vjedhje dhe tentativa në dy muaj në Tiranë/ Arrestohen 3 persona dhe sekuestrohet mjeti që përdornin
Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal të dyshuar për disa vjedhje dhe tentativa vjedhjeje në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Operacioni i koduar “Harta” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit Nr. 6, pas një pune hetimore për identifikimin e autorëve që vepronin të organizuar.
Në pranga ranë tre persona, D. Ç., 31 vjeç, B. S., 56 vjeç dhe E. Gj., 33 vjeç, të tre banues në Elbasan.
Sipas hetimeve, ata dyshohet se kanë kryer 12 vjedhje dhe tentativa vjedhjeje në territoret e Komisariateve Nr. 6 dhe Nr. 7.
Nga veprimet e kryera janë zbardhur disa raste, ku janë marrë shuma parash dhe sende me vlerë në biznese dhe banesa në zona si rruga “7 Nëntori”, autostrada Tiranë-Durrës, bulevardi “Migjeni”, rruga “Ribez”, rruga e Prushit, si dhe në fshatrat Vaqarr, Fushë Mëzez dhe Marikaj.
Gjatë operacionit u sekuestrua automjeti që përdornin për të lëvizur drejt objekteve ku kryenin vjedhjet, si dhe veshje që dyshohet se i përdornin gjatë kryerjes së tyre.
Policia po vijon hetimet për të verifikuar nëse të arrestuarit janë të përfshirë edhe në raste të tjera.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
