Teherani kërkon veprim urgjent nga OKB pas sulmeve nga SHBA-Izrael

Teherani i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të veprojë menjëherë pas sulmeve izraelite dhe amerikane.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, i bëri thirrje sot Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të veprojë menjëherë, pas sulmeve të ndërmarra nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kundër vendit të tij.

Në një letër drejtuar Kombeve të Bashkuara, Araghchi deklaroi se SHBA-ja dhe Izraeli duhet të ”mbajnë plotësisht dhe tërësisht përgjegjësi për pasojat e veprimeve të tyre të paligjshme”.

Ai theksoi se Irani po vepron në vetëmbrojtje legjitime dhe kërkoi që komuniteti ndërkombëtar të dënojë këtë akt agresioni.

Sipas njoftimit të OKB-së, Këshilli i Sigurimit, ku Shtetet e Bashkuara gëzojnë të drejtën e vetos, do të mblidhet sot në orën 21:00 GMT për të diskutuar situatën në Lindjen e Mesme pas operacionit ushtarak të nisur nga Uashingtoni kundër Iranit.

Takimi pritet të zhvillohet në një klimë tensionesh të larta diplomatike, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për përmbajtje dhe rikthim në dialog për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm në rajon.