SULMOHET IRANI/ Dhjetëra nxënëse vr*ten në një shkollë, pas sulmit izraelito-amerikan
Pas një sulmi ajror në jug të Iranit, raportohet se të paktën 85 nxënëse të një shkolle fillore janë vrarë dhe rreth 90 të tjera janë plagosur, sipas medias shtetërore.
Ngjarja ka ndodhur, pasi Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën sulme ndaj territorit iranian, sipas raportimeve.
Deri tani, të dy vendet nuk kanë bërë koment zyrtar mbi pretendimet se shkolla ishte objektiv i drejtpërdrejtë.
Sulmi ka prekur një shkollë fillore në provincën e Hormozganit në zonën e Minabit.
Rajoni njihet për praninë e disa bazave detare iraniane.
Sipas raportimeve, rreth 170 nxënës ndodheshin në shkollë në momentin e goditjes.
Operacionet e kërkim-shpëtimit dhe pastrimit të rrënojave janë ende duke vijuar.
Ministria e Jashtme iraniane publikoi një imazh të një ndërtese të shkatërruar, duke deklaruar se bëhej fjalë për shkollën e goditur.
Zëdhënësi i ministrisë, Esmail Baghaei, e cilësoi ngjarjen si një krim të pastër dhe bëri thirrje që bota të reagojë ndaj asaj që ai e quajti një padrejtësi të madhe.
Ngjarja është raportuar nga agjencia shtetërore “Tasnim News”, e cila njoftoi rritjen e numrit të viktimave nga shifrat fillestare.

