Tabaku: Integrim i pjesshëm në BE rrezikon transformimin institucional dhe demokratik të Shqipërisë
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi sot se Shqipëria nuk duhet të pranojë një integrim të pjesshëm në Bashkimin Europian që shmang transformimin institucional dhe demokratik, duke paralajmëruar rrezikun e një periferie të përhershme brenda strukturave europiane.
Tabaku theksoi se propozimi për një integrim të përshpejtuar ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët dhe në zonën Schengen, duke shtyrë anëtarësimin e plotë institucional, mund të duket racional në sipërfaqe, por problematikat janë thelbësore.
“Bashkimi Europian nuk është thjesht një treg pa tarifa doganore. Është një rend demokratik i ndërtuar mbi institucione të forta, barazi para ligjit dhe kufizim të pushtetit. Ky rend nuk funksionon i ndarë në pjesë”, nënvizoi ajo.
Deputetja kujtoi historikun e zgjerimit të BE-së pas vitit 1989, duke shtuar se integrimi ekonomik ka qenë gjithmonë pasojë e transformimit institucional, dhe jo zëvendësim i tij.
“Por problemi nuk është teknik. Problemi është themelor.
“Bashkimi Europian nuk është thjesht një treg pa tarifa doganore. Është një rend demokratik i ndërtuar mbi institucione të forta, barazi para ligjit dhe kufizim të pushtetit. Ky rend nuk funksionon i ndarë në pjesë.
“Historia e zgjerimit pas vitit 1989 e ka provuar qartë: integrimi ekonomik ka qenë gjithmonë pasojë e transformimit institucional, jo zëvendësim i tij. Vendet që u anëtarësuan ndërtuan shtet funksional, drejtësi të pavarur dhe rregulla të qëndrueshme. Nga ky mjedis operues lindi rritja ekonomike dhe prosperiteti për qytetarët e tyre. Baza e këtij prosperiteti ishte demokracia funksionale dhe sundimi i ligjit”, theksoi Tabaku.
Sipas saj, kërkesa për përfitime ekonomike para përfundimit të transformimit demokratik përmbys logjikën e procesit dhe rrezikon të dobësojë standardet europiane në institucione.
Ajo theksoi se qytetarët shqiptarë mbeten të angazhuar ndaj integrimit europian, por shikojnë në BE një garanci për standarde, jo thjesht për lehtësi lëvizjeje.
“Qytetarët shqiptarë nuk janë të lodhur nga Brukseli. Ata janë të lodhur nga mungesa e drejtësisë dhe barazisë në shtëpinë e tyre. Të dhënat e Barometrit të Ballkanit, publikuar nga RCC, tregojnë prej vitesh një paradoks domethënës: mbështetja për BE mbetet ndër më të lartat në rajon, ndërkohë që besimi tek institucionet vendase mbetet i ulët. Integrimi shihet si garanci standardesh, jo thjesht si lehtësi lëvizjeje”, u shpreh ajo.
Deputetja Tabaku gjithashtu paralajmëroi se një integrim i pjesshëm mund të institucionalizojë deformime dhe pabarazi, duke rrezikuar stabilitetin dhe procesin transformues në Shqipëri.
“Shembujt janë konkretë. Bujqësia shqiptare vazhdon të përballet me braktisje dhe mungesë mbështetjeje reale, pavarësisht retorikës për rritje dhe integrim. Shqipëria ende nuk ka ngritur një Bankë Zhvillimi funksionale sipas modeleve europiane për të mbështetur prodhuesit dhe sipërmarrjen e ndershme. Në një ekonomi ku konkurrenca deformohet nga klientelizmi dhe përqendrimi i vendimmarrjes, hapja drejt tregut europian pa korrigjuar këto deformime rrezikon të zgjerojë pabarazitë. Një treg i lirë kërkon rregulla të forta. Një ekonomi e hapur kërkon drejtësi të pavarur. Një shtet që shmang llogaridhënien kërkon gjithmonë rrugë të shkurtra’, deklaroi Tabaku.
Shqipëria, theksoi ajo, nuk duhet të synojë minimumin e rehatshëm.
‘Duhet të synojë standardin e plotë. Integrimi i pjesshëm pa demokraci të plotë nuk është përshpejtim, është institucionalizim i mangësive”, u shpreh ajo.

